Rajon - Botë

OBSH: Situata në spitalin Al-Shifa në Gaza shumë e rëndë

“Ka rritje në përmasa katastrofike të vdekjeve të të sëmurëve. Fatkeqësisht spitali nuk mund të ofrojë më tashmë shërbim”, tha Ghebreyesus

OBSH: Situata në spitalin Al-Shifa në Gaza shumë e rëndë

Gjenevë

Drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adhanom Ghebreyesus ka deklaruar se situata në spitalin Al-Shifa në Gaza është shumë e rëndë, transmeton Anadolu.

Nga llogaria e tij në median sociale, Ghebreyesus bëri një postim lidhur me spitalin Al-Shifa të shënjestruar nga ushtria izraelite.

Ai tha se OBSH-ja ka arritur të kalojë sërish në komunikim me punonjësit e saj shëndetësorë në spitalin Al-Shifa. “Situata në spitalin Al-Shifa (në Gaza) është shumë e rëndë. Ka rritje në përmasa katastrofike të vdekjeve të të sëmurëve. Fatkeqësisht spitali nuk mund të ofrojë më tashmë shërbim”, tha Ghebreyesus.

“Në spital janë përjetuar 3 ditë me mungesë të energjisë elektrike dhe ujit dhe me internet shumë të dobët”, tha Ghebreyesus i cili shtoi se kjo situatë ka ndikuar ndjeshëm në ofrimin e shërbimeve të kujdesit bazë.

Sipas tij, të shtënat dhe bombardimet e vazhdueshme që dëgjohen në rajon vazhdimisht përkeqësojnë edhe më shumë kushtet të cilat tashmë janë kritike.

Kreu i OBSH-së bëri thirrje për “armëpushim të menjëhershëm” duke nënvizuar se bota nuk mund të qëndrojë e heshtur që spitalet të cilat duhet të jenë zona të sigurta të shndërrohen në hapësira ku përjetohet vdekje, shkatërrim dhe dëshpërim.