April 29, 2024
Rajon - Botë

OBSH: Omicron nuk mund të ndalet vetëm me vaksinim

Omicron po përhapet me shpejtësi jashtëzakonisht të lartë dhe deri më tani është nënvlerësuar. Të paktën kështu e vlerëson OBSH rrezikun që vjen nga mutacioni i ri Covid-19.

Sipas drejtorit të përgjithshëm të kësaj organizate, megjithëse sëmundja është më e lehtë, numri i të infektuarve mund të pengojë sistemet shëndetësore, veçanërisht në vendet më pak të zhvilluara.

Aktualisht, rastet e Omicron janë regjistruar zyrtarisht në 77 vende, por virusi me shumë gjasa do të përhapet edhe në shumë shtete të tjera.

Gebreyesus tha se Omicron nuk mund të ndalet vetëm me vaksinim, por edhe nga masat sanitare si higjiena personale dhe maskat.

OBSH, bën me dije se shumë vende nuk e kanë kapacitetin për të analizuar mostrat e biomaterialeve të të gjithë të infektuarve dhe viktimave të shkaktuara nga Covid-19.

Sipas kësaj organizate nuk përjashtohet mundësia që do jetë e vështirë të merret informacion i saktë për llojin e virusit që çon në vdekjen e një personi të infektuar. Në të njëjtën kohë, organizata pret të ketë më shumë të dhëna në javët në vijim në lidhje me ashpërsinë e sëmundjes kur një person infektohet nga Omicron.

Një informacion i tillë është i “i nevojshëm për të kuptuar plotësisht pamjen klinike të të infektuarve me këtë variant të koronavirusit”.

OBSH u bën thirrje vendeve që të mbledhin dhe të ndajnë të dhënat e kujdesit për pacientët në spitale, duke përdorur platformën e organizatës për Covid-19.

Numri i viktimave nga koronavirusi në SHBA shkoi në 800 mijë, ndërsa numri i përgjithshëm i të infektuarve shkoi në 50 milionë sipas të dhënave të publikuara nga Universiteti Johns Hopkins.

Përhapja e shpejtë e variantit Omicron, dëshmohet edhe nga fakti se ka pasur 100 mijë viktima në 11 javët e fundit.

Sipas autoriteteve shumica e viktimave janë të pavaksinuar ose në moshë të thyer. Gjithashtu më shumë amerikanë kanë humbur jetën gjatë 2021 sesa në 2020. Shqetësues mbetet fakti se numri i viktimave po rritet me ritme të shpejta.