Rajon - Botë

OBSH: Ndaj shërbimeve shëndetësore në Gaza janë kryer 41 sulme të konfirmuara

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) njoftoi se që nga 7 tetori e deri më tani Izraeli ka kryer 41 sulme të konfirmuara ndaj shërbimeve shëndetësore në Gaza, raporton Anadolu.

Zëdhënësi i OBSH-së, Tarik Jashareviq përmes internetit iu përgjigj pyetjeve të AA-së lidhur me situatën shëndetësore dhe zhvillimet e fundit në Gaza-n e cila ndodhet nën bllokadë. “Situata lidhur me shëndetin në Gaza është jashtëzakonisht shqetësuese”, tha Jashareviq i cili shtoi se spitalet presin ende një numër të madh të të sëmurëve dhe se kapacitetet janë të mbushura plotësisht.

Ai njoftoi se po përdoren ilaçet e siguruara më parë dhe duke vënë në dukje se karburanti në qytet është drejt përfundimit, situata është shumë kritike. “Është pothuajse e pamundur të realizohet kërkesa e Izraelit për evakuimin e spitaleve në veri të Gazës”, tha Jashareviq duke shtuar se në rast të realizimit të një evakuimi të tillë shumë të sëmurë do të përjetojnë rrezik për jetën.

Zëdhënësi i OBSH-së tërhoqi vëmendjen se një person i cili ka shumë sëmundje të ndryshme nuk mund të lëvizet në mënyrë të thjeshtë. “I bëjmë thirrje Izraelit që të tërheqë këtë vendim”, tha ai. Jashareviq tha se dërgimi në Gaza i punonjësve të ndihmës humanitare dhe të produkteve mjekësore është problem më vete dhe se OBSH-ja ka dërguar rreth 80 tonë produkte mjekësore dhe ilaçe për të sëmurët kronikë në afërsi të pikës kufitare Rafah.

Sipas tij, OBSH-ja dhe organizatat e tjera të ndihmës humanitare në sistemin e Kombeve të Bashkuara (OKB) i kanë vendosur këto ndihma në afërsi të pikës kufitare Rafah për t‘i dërguar në Gaza, se punimet duhet të përfundohen dhe se kjo do të parandalojë humbjen e më shumë jetëve.

Duke njoftuar se vazhdojnë negociata të ndryshme për dërgimin e ndihmave në Gaza, Jashareviq tha se presin që të sigurohet qasje e sigurt në Gaza.

“Arsyeja që ne po shprehemi me zë kaq të lartë, është se duam që të gjithë ta kuptojnë se sa thelbësore është dërgimi i këtyre furnizimeve mjekësore për punonjësit shëndetësorë në Gaza të cilët rrezikojnë jetën për të shpëtuar jetët e individëve dhe që po bëjnë një punë të jashtëzakonshme”, tha Jashareviq.

“Jeta e qindra mijëra banorëve të Gazës është në rrezik,” nënvizoi Jahareviq i cili tha se “Edhe nëse arrijmë të sjellim produktet shëndetësore në Gaza, kjo nuk do ta zgjidhë problemin. Zgjidhja e vetme është përfundimi i konflikteve sepse që të dy palët vuajnë për shkak të konflikteve që vazhdojnë prej 10 ditësh”.

– Thirrje për përfundimin e konflikteve

Jashareviq informoi se të gjithë punonjësit shëndetësorë në Gaza janë jashtëzakonisht rezistent dhe vazhdojnë të bëjnë punën e tyre pavarësisht gjithçkaje.

Sipas ligjit humanitar ndërkombëtar, punonjësit shëndetësorë, komplekset shëndetësore dhe të sëmurët duhet të mbrohen, theksoi Jashareviq duke shtuar se “Që nga 7 tetori e deri më tani janë kryer 41 sulme të konfirmuara ndaj shërbimeve shëndetësore në Gaza. Teksa ndodheshin në detyrë aktive janë vrarë 11 punonjës shëndetësie dhe 16 të tjerë janë plagosur. Me rritjen e sulmeve, me shumë mundësi edhe këto shifra do të rriten”.

Jashareviq më tej u bëri thirrje të gjithë atyre që mund të luajnë një rol aktiv që të bëjnë më të mirën për t‘i dhënë fund dhunës mes Izraelit dhe Palestinës.

– Konflikti Izraeli-Palestinë

Nga Gaza në drejtim të Izraelit u lëshuan mijëra raketa ndërsa grupet e armatosura palestineze kryen bastisje dhe morën kontrollin e pikës kufitare Beit Hanoun-Erez në kufirin Gaza-Izrael.

Grupet e armatosura më pas hynë në vendbanimet izraelite ndërsa ushtria izraelite filloi sulme ndaj Rripit të Gazës me dhjetëra avionë luftarakë. Në sulmet e kryera nga Gaza, përfshirë 299 ushtarë kanë humbur jetën 1.400 izraelitë ndërsa janë plagosur 3.968 të tjerë.

Ministria palestineze e Shëndetësisë ka njoftuar se në sulmet e Izraelit në Gaza janë vrarë 2.848 palestinezë ndërsa janë plagosur 10.859 të tjerë. Në sulmet e ushtarëve izraelitë dhe kolonëve hebrenj në Bregun Perëndimor të pushtuar janë vrarë 61 palestinezë dhe janë plagosur rreth 1.250 të tjerë.

Gjithashtu në sulmet e Izraelit kanë humbur jetën 13 gazetarë.

Ndërsa në konfliktet e shënuara në kufirin izraelit në jug të Libanit mes Hezbollahut dhe ushtrisë izraelite që nga 8 tetori e deri më tani, kanë humbur jetën 3 civilë, 4 milicë të Hezbollahut dhe 2 anëtarë të Lëvizjes së Xhihadit Islamik Palestinez. Në sulmet e kryera nga ana e Libanit humbën jetën 3 ushtarë izraelitë.