September 20, 2024
Maqedoni

O’Brien i bën thirrje Kurtit të ndërpresë “veprimet e pakoordinuara”

Prano hulumtimet dhe lajmet e fundit me mesazh!
Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, James O’Brien i ka bërë thirrje kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që të koordinohet me partnerët ndërkombëtarë duke theksuar se Qeveria e Kosovës duhet të ndërpresë “veprimet e pakoordinuara që ndikojnë negativisht në partneritetin tonë”. Kjo pasi të premten Qeveria e Kosovës njoftoi se janë mbyllur pesë objekte të strukturave paralele serbe në veri, veprim të cilin ShBA-ja, BE-ja, Gjermania, Franca e Britania e quajtën “të njëanshëm e të pakoordinuar”. “Siç e bënë të qartë deklarata e ambasadorit amerikan në Kosovë, SHBA-ja është e shqetësuar nga vazhdimi i veprimeve të pakoordinuara dhe provokuese të Qeverisë së Kosovës… I bëjmë thirrje kryeministrit Kurti dhe qeverisë së tij që të konsultohen dhe koordinohen me komunitetin ndërkombëtar dhe të ndërpresin veprimet e pakoordinuara që ndikojnë negativisht në partneritetin tonë”, ka thënë O’Brien.Mbrëmë në reagimin e tyre, Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) janë shprehur të shqetësuara për këtë aksion. Ky aksion nga ambasada amerikane në Kosovë po konsiderohet si “vazhdimësi e aksioneve të pakoordinuara të ndërmarra nga Qeveria e Kosovës, e që vazhdojnë të kenë ndikim direkt dhe negativ në komunitetin serb dhe komunitetet tjera minoritare në Kosovë”. Sipas ambasadës, këto veprime “pasqyrojnë rritjen e përkeqësimit të marrëdhënieve mes dy vendeve”. “Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tanë ndërkombëtarë kanë kërkuar në vazhdimësi nga Qeveria e Kosovës që të ketë prioritet koordinimin me komunitetin ndërkombëtar dhe të mos ndërmarrë veprime të njëanshme për çështjet në agjendën e dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Dështimi i Qeverisë së Kosovës për t’iu përgjigjur këtyre kërkesave reflekton në përkeqësimin real dhe në rritje të partneritetit tonë”, thuhej në reagim./Dukagjini