O’Brien demantoi “non pejperin” e partive shqiptare në RMV
Ndihmës sekretari amerikan i shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, ka demantuar informacionin e paraqitur para ca kohe se në Shkup do të kërkojë nga gjitha partitë shqiptare nënshkrimin e një “non pejperi” me të cilin do të kushtëzonin pjesëmarrjen në qeverinë e ardhshme. Ai tha se është paralajmëruar se do i parashtrohet pyetje e tillë gjatë qëndrimit në Shkup dhe kërkoi nga partitë të ofrojnë “non pejper” për ardhmërinë Evropiane të Maqedonisë së Veriut.
Duke folur për listën e zezë amerikane, ai ka shtuar se emrat në listën e zezë të SHBA-së janë pjesë e një strategjie më të gjerë për të luftuar korrupsionin dhe “partneri strategjik i vendit pret që të ketë një ndryshim në sjelljen e atyre që kanë qenë në të”.
I fundit në listë është biznesmeni Koço Angjushev, me arsyetimin se “nuk ka të drejtë të hyjë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sepse gjatë kohës që ishte zëvendëskryeministër ka abuzuar me detyrën zyrtare në favor të interesave të biznesit të tij privat, duke cenuar besimin e publikut ndaj institucioneve qeveritare”.
Atij në listë i bashkohen Gruevski, Mijalkov, Merko, Kamçev dhe Samsonenko.
Sanksionet amerikane kundër korrupsionit, siç tha O’Brien, janë pjesë e strategjive për të trajtuar të ashtuquajturin shtet të bllokuar dhe të përfshirë në korrupsion, probleme me të cilat përballen shumë vende, përfshirë edhe këtë rajon.
Qeveria e Maqedonisë së Veriut njoftoi se është përgatitur një ndryshim në ligjin për masat kufizuese me përfshirjen e masave kufizuese të paraqitura nga Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe. Tani ligji është në proces të harmonizimit me ligjet e Maqedonisë dhe kur të përfundojë do t’u dorëzohet deputetëve në Kuvend. Sipas këtij, propozim-ligji, personat që janë në “Listën e Zezë” nuk kanë të drejtë të kandidojnë apo të marrin pjesë në funksione publike.
Ambasadorja e SHBA-së në vend, Angela Ageler, ka bërë të ditur se në listën e zezë do të ketë edhe persona të tjerë nga Maqedonia e Veriut, por ritheksoi se duhet të merren masa edhe nga institucionet vendore.