Nxënësit në pushim pranveror, mësimi vazhdon më 7 maj
Nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme nga dita e sotme për herë të parë do të shfrytëzojnë pushimin pranveror, i cili u prezantua këtë vit shkollor dhe i cili do të zgjasë deri më 6 maj të vitit 2024. Gjithashtu për herë të parë ka ndryshim në kalendarin mësimor në mënyrë që viti shkollor 2023-2024 të përfundojë më 17 qershor për nxënësit e shkollave fillore, ndërsa për gjimnazistët si vitet e kaluara më 10 qershor.
Shkollat nuk do të jenë të hapura më 8 maj, ditën e mërkurë, kur do të mbahet raundi i dytë i Zgjedhjeve Presidenciale dhe Parlamentare 2024. Një ditë më parë, më 7 maj, në shkollat ku do të organizohet votimi do të kenë orar të reduktuar dhe orë pune deri në orën 11:00.
Siç informojnë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, mësimi i ditëve jo pune, për shkak të zgjedhjeve do të bëhet në ditë pune me qëndrim më të gjatë të nxënësve nëpër shkolla për të realizuar orë shtesë.
“Plotësimi i orëve mësimore të paplotësuara do të planifikohet dhe organizohet nga drejtorët e shkollave dhe do të realizohet me qëndrim më të gjatë të nxënësve në ditët e javës së punës, në kuadër të orarit gjashtorësh të punës së mësuesve.”, thonë nga MASh-i.
Për planifikimin dhe organizimin e orëve shtesë, Ministria e Arsimit ka ngarkuar drejtorët e shkollave. Pas reagimeve në opinion dhe nga sindikatat, tërhoqën vendimin e mëparshëm për të kompensuar ditët e humbura të shtunave.