Maqedoni

Nxënësit dhe studentët në Maqedoni sot protestojnë para MASH-it

Organizata për dialog dhe afirmim të nxënësve të shkollave të mesme dhe studentëve (ODAS) sot para Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës organizon protestë paralajmëruese për ta aktualizuar kërkesën e tyre për lehtësim të maturës shtetërore. Protestës do t’i bashkangjitet edhe lëvizja “Rezistenca studentore” prej ku njoftuan se do ta shprehin revoltën e tyre sepse institucionet, siç thonë, nuk dëgjojnë për kërkesat shumëmuajshe të studentëve.

ODAS kumtoi se qëllimi i protestës është të theksohet vlera e qëndrimeve të tyre në lidhje me maturën shtetërore dhe të përshpejtohet sjellja e vendimeve adekuate. Ata nga Qeveria dhe Kuvendi kërkuan që gjenerata e sivjetme e maturantëve të kenë vëllim të shkurtuar të materialit për provimin përfundimtar ose të zvogëlohet numri i provimeve interne.

Kryetarja e ODAS, Anisija Ugrinovska, për AIM tha se kjo gjeneratë e maturantëve janë më të dëmtuar dhe se nuk kanë pasur një vit të plotë shkollor të pandërprerë në arsimin e tyre të mesëm katër vjeçar.

“Kërkojmë zvogëlimin e vëllimit të materialit të parashikuar për dhënien e provimit të maturës ose shkurtimin e një lënde interne. Kjo i detyrohet dy faktorëve më të mëdhenj në katër vitet e fundit – ishim të përfshirë me krizën e koronës dhe kishim një vit e gjysmë mësim onlajn dhe alarmet për bomba. Në ndërkohë kishte edhe faktorë tjerë”, tha Ugrinovska, e cila theksoi edhe se problemi i tyre kërkon zgjidhje të shpejtë sepse dhënia e maturës shtetërore fillon më 27 maj.

Ministri i Arsimit dhe Shkencës Jeton Shaqiri të martën deklaroi se për këtë kërkesë duhet të shqyrtohet nëse dhe çka lejon ligji të ndryshohet në këtë periudhë për organizimin e maturës shtetërore. Paralajmëroi se javën e ardhshme do të mbajë mbledhje me drejtoreshën e Qendrës Shtetërore për Provime (QSHP) që edhe njëherë, tha “ta njoftojmë opinionin se cilat janë materialet dhe çka është parashikuar në to”, dhe kërkesa e nxënësve të shqyrtohet së bashku me Lidhjen e nxënësve të shkollave të mesme me të cilin, siç tha, ka komunikim të përditshëm.

Shaqiri theksoi se për të është e rëndësishme ajo që nga matura shtetërore varen shumë procese tjera gjegjësisht regjistrimi i nxënësve që përfundojnë arsimin e mesëm në institucionet e arsimit të lartë në vend dhe në vende të huaja.

Lidhja e nxënësve të shkollave të mesme e Republikës së Maqedonisë së Veriut, siç tha para tre ditësh kryetari i saj Luka Paviqeviq, për një deri në dy javë do të ketë mbledhje të Kuvendit të Përgjithshëm që të shprehet për çështjen rreth dhënies së maturës shtetërore.

Në njoftimin për t’iu bashkuar protestës së nxënësve të shkollave të mesme, Lëvizja “Rezistenca Studentore”, nga ana tjetër, deklaroi se “është koha që studenti të luftojë për të drejtat e tij dhe të shprehë revoltën në rrugë, kur institucionet nuk dëgjojnë kërkesat shumëmujore të studentëve”.

Pas protestës që e organizoi në nëntor të vitit të kaluar “Rezistenca studentore” reagoi se “nuk është realizuar asgjë nga ajo që u është premtuar studentëve nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe Qeveria”.