Rajon - Botë

Numri i palestinezëve të vrarë rritet në 2.848

Numri i palestinezëve të vrarë nga sulmet izraelite në Gaza rritet në 2.848
Të paktën 2.848 palestinezë, përfshirë 750 fëmijë, u vranë në sulmet ajrore izraelite në Gaza, tha Ministria e Shëndetësisë në Gaza, raporton Anadolu.

Ministria deklaroi se të paktën 10.859 palestinezë u plagosën në bombardimet izraelite. Më herët, Ministria njoftoi se në mesin e të vrarëve ishin më shumë se 750 fëmijë.

Gaza po përjeton një krizë humanitare pa energji elektrike, ndërsa uji, ushqimi, karburantet dhe furnizimet mjekësore po mbarojnë. Civilët po zhvendosen në jug të Rripit të Gazës pas paralajmërimit të Izraelit për të evakuuar zonat veriore.

Izraeli ka nisur fushatë masive ajrore në Rripin e Gazës pas një sulmi ndërkufitar nga grupi palestinez Hamas, duke zhvendosur mbi 1 milion njerëz – pothuajse gjysma e popullsisë së përgjithshme të enklavës, sipas Agjencisë së OKB-së për Refugjatët Palestinezë në Lindje të Mesme (UNRWA).

Luftimet filluan kur Hamasi më 7 tetor filloi operacionin “Tufani i Aksa-së”, një sulm i befasishëm shumë dimensional, duke përfshirë lëshimin e një breshërie raketash dhe infiltrime në Izrael nëpërmjet tokës, detit dhe ajrit. Grupi tha se inkursioni ishte në hakmarrje për sulmin ndaj xhamisë Al-Aksa dhe rritjes së dhunës së kolonëve kundër palestinezëve.

Ushtria izraelite më pas nisi operacionin “Shpata e Hekurt” kundër objektivave të Hamasit brenda Rripit të Gazës.

Të paktën 1.400 izraelitë janë vrarë në konflikt.