Numan Kurtulmush zgjidhet kryeparlamentar i ri i Turqisë
Parlamenti turk zgjodhi Numan Kurtulmushin, kandidatin e përbashkët të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti) dhe Partisë Lëvizja Nacionaliste (MHP), si kryeparlamentar të ri, raporton Anadolu. Kurtulmush, deputet i AK Partisë nga Stambolli, mori 321 vota në raundin e tretë të votimit në Asamblenë e Madhe Kombëtare të Turqisë (TBMM) me 600 vende. Ai u zgjodh për një mandat dyvjeçar.
Sipas Kushtetutës së Turqisë, kryetari i parlamentit zgjidhet me votim të fshehtë deri në katër raunde – aq sa janë të nevojshme – në një ditë të vetme.
Në dy raundet e para, asnjë kandidat nuk mori shumicën prej dy të tretash (400) në parlament. Në raundin e tretë, për të fituar votën nevojiteshin minimumi 301 vota.
Numan Kurtullmush ka lindur në vitin 1959 në Ynje të qytetit Ordu. Nip i të ndjerit major Numan Kurtullmush, e njëkohësisht djal i doktorit Ismail Nijazi. Kryeparlamentari i ri turk, Numan Kurtullmush, shkollën e mesme e kreu në shkollat turke Imam Hatip në Stamboll, ndërsa studimet universitare dhe pasuniversitare në Universitetin e Stambollit – drejtimi – Administrim Biznesi.
Gjatë viteve 1990-1993, ai ishte profesor i ftuar në Shkollën Shtetërore të Marrëdhënieve Industriale dhe Punës të Universitetit Cornell të Nju Jorkut në SHBA.
Në vitin 1992 ai fitoi titullin doktor i shkencave ekonomike, ndërsa në vitin 1994 mori titullin profesor, pranë Universitetit të Stambollit – Fakulteti Ekonomik, ku për shumë vite ka ligjëruar mbi politikat sociale dhe menaxhimin e burimeve njerëzore.
Në vitin 1998, u bë pjesë e politikës aktive, duke u zgjedhur kryetar i provincës së Stambollit nga partia “Fazilet” (partia “Virtyti”, i të ndjerit prof.dr. Nexhmettin Erbakan).
Pas mbylljes së partisë “Fazilet” në vitin 2001, prof.dr. Numan Kurtullmush, u bë pjesë e partisë së Erbakanit “Saadet” (“Mirëqenia”), ku më 26 tetor 2008, u zgjodh kryetar i saj.
Më 1 tetor 2010, Kurtullmush u largua nga partia “Saadet”, ndërsa menjëherë pas këtij vendimi, ai më 1 nëntor bashkërisht me një grup mendimtarësh dhe strukura partiake, themeloi partinë “HAS – Halkın Sesi Partisi” (Partia “Zëri i Popullit”).
19 shtator 2012, partia “HAS” solli vendimin që të bëhet pjesë e partisë në pushtet AK Parti – Partia për Drejtësi dhe Zhvillim, të presidentit Rexhep Tajjip Erdogan.
Më 4 tetor 2012, prof. dr. Numan Kurtullmush, u emërua nënkryetar i AK Partisë për Çështje Ekonomike.
Kurtullmush një kohë ka qenë zëdhënës i qeverisë, ndërsa gjithashtu , një periudhë ai ka qenë edhe ministër i Kulturës dhe Turizmit, në qeverinë e 65-të të Republikës së Turqisë.
Që nga viti 2018, Kurtullmush u zgjodh zëvendëskryetar i AK Partisë.
Profesor Kurtullmush, është autor i shumë veprave akademike, ndërkaq në gjuhën shqipe ka të botuar librin “Për Turqinë e së ardhmes” të botuar nga SHB “Logos-A”.
Nga vitet 80-ta Kurtullmush, ka krijuar lidhjet e tij miqësore me disa intelektualë të trojeve shqiptare, me çka këto lidhje shoqërore, kanë dhënë frytet e saja në krijimin e vëllazërisë shqiptaro-turke ndër vite.
Kryeparlamentari i ri turk, njëkohësisht është i afërt me deputetin aktual, nënkryetarin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Dr. Hysni Ismaili. Kurtullmush është i martuar dhe baba i tre fëmijëve.