May 18, 2024
Maqedoni

Nuk ka “po” për Maqedoninë e Veriut në Bruksel

Procesi i integrimit të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian varet vetëm nga avancimi i negociatave me Bullgarinë, deklaroi Presidenti bullgar Rumen Radev nga samiti i shefave të BE-së në Bruksel. Ai tha se Sofja nuk do të thotë “po” për fillimin e negociatave për Shkupin deri sa nuk arrihen rezultate konkrete. Samiti vazhdon të premten kur edhe do të jepen konkluzionet.

“Nuk do të lejojmë që të na lidhen duart me lobim dhe me presion politik dhe mediatik. Nuk do të them “po” para se të shohim mekanizëm të qëndrueshëm për shkuljen e tregimit të shtrembëruar dhe sjelljes ofenduese ndaj Bullgarisë që nga librat, muzetë, përmendoret, mediat dhe politika shtetërore. Nuk mund të them po para se të jem i bindur se fqinji jonë nuk do ta ndërtojë identitetin e tij me vjedhjen e historisë bullgare.”- deklaroi Rumen Radev.
Kryeministri Zaev nga Shkupi, duke u përgjigjur në pyetjet e deputetëve të VMRO-DPMNE-së në Kuvend tha se arsyeja që vendi fqinj nuk lëshon pe, është mospasja e institucioneve politike.

Deputetja e opozitës Rashela Mizrahi ishte e ashpër ndaj kryeministrit duke ja mëveshur pushtetit të gjithë përgjegjësinë e dështimit.

“Turp mbi turp zotëri Zaev. Dhe akoma thoni se nëse nuk e anëtarësoni Maqedoninë në BE, gjoja do të tërhiqeni nga politika. E përgjakët vendin dhe njerëzit në kompromise për datën në stilin “këtë të mërkurë”, “të premten e ardhshme”, por ja sot jeni këtu dhe unë nuk e di pse jeni këtu. Ju lutem mos tregoni më histori të llojit “rrushi qenka i tharët”, se gjoja BE-ja është e keqe, sikur të mos na keni çuar ndër kompromise të përgjakshme plot 4 vjet. Na keni dërguar në agoni me shpërfytyrim shtetëror pikërisht me këtë premtim.”- pohoi Rashela Mizrahi, VMRO-DPMNE.
Zaev tha se opozita mban përgjegjësinë për prishjen e raporteve me fqinjët.

“Arsyeja e vetme për krijimin e problemeve të reja me fqinjët janë narrativet e këtilla ose të ngjashme që bëni ju sot ose gjithkund ku shkoni dhe që janë tipike për shekullin XIX, janë tipike për provokime. Prandaj sot janë humbur atributet si miqësia, fqinjësia e mirë dhe bashkëpunimi me Bullgarinë. Sepse lideri juaj në takimin me Borisovin thotë se gjithçka është e pranueshme por në vend bëni fushatë tërësisht tjetër.”- tha Zaev.
Dy ditë më parë në takimin e Këshillit për Punë të Përgjithshme të BE-së, ministrat nuk arritën konsensus për kornizën negociuese të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.