Nuk ka mrekulli zikaltër, Manchester City triumfon në Ligën e Kampionëve

Nuk ka mrekulli zikaltër në Stamboll, aty ku Manchester City ia del të triumfojë me rezultatin minimal 1-0 ndaj Interit dhe të fitojë për herë të parë në histori trofeun e Ligës së Kampionëve.

Vendos nëj gol i Rodrit në minutën e 68’, për të konkretizuar në mënyrën më të mirë nëj sezon spektakolar të ‘citizens’, që fitojnë gjithçka, përfshi Premier Leaguen dhe FA Cup, duke bërë ‘tripletë’ për herë të parë.

Largon ‘makthin’ Champions edhe Pep Guardiola, që ia del të rikthehet të fitojë më në fund trofeun me ‘veshë të mëdhenj’, pas plot 14 vitesh pritje dhe tentativash radhazi.

Tripleta e dytë edhe për trajnerin spanjoll, që e ka bërë të njëjtën gjë edhe me Barcelonën fantastike në sezonin 2008-2009.

Nga ana tjetër, zikaltrit largohen nga finalja me krenarinë e një 90-minutëshi të barabartë me një nga skuadrat më të mira në botë, por edhe ‘pishmanin’ e të paktën 4 rasteve flagrante të shpërdoruara, që mund t’i kishin dhënë një tjetër rrjedhë takimit.