“Nuk ka avancim për të drejtat e njeriut në RMV”
Nuk ka përparim në promovimin e të drejtave të njeriut në Maqedoninë e Veriut, është konstatimi i Komitetit të Helsinkit në raportin për vitin 2023.
Në të thuhet se nuk është bërë ndonjë progres i rëndësishëm në sistemin ligjor dhe institucional për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Në raport analizohet hartimi i Kodit të ri Penal, pas të cilit në shtator të vitit 2023 Komiteti i Helsinkit, si anëtar i grupit të Projektit për reformat në drejtësi, u tërhoq nga pjesëmarrja e mëtejshme sepse u bë e pakuptimtë pjesëmarrja në një procedurë që në thelb legjitimon paligjshmërinë.
“Ulja e dënimeve të tre akteve kyçe për luftën kundër krimit të lartë dhe korrupsionit legjitimoi mosndëshkimin kronik të zyrtarëve të lartë dhe kryerësve të posteve publike”, thuhet në raport.
Komiteti vlerëson si pozitive ndryshimet në Kodin Penal, të cilat futën krimet e reja të ngacmimit seksual dhe përndjekjes, të cilat janë kontribut i rëndësishëm i shtetit në respektimin e Konventës së Stambollit. Por nga ana tjetër, përkundër përgatitjes së projektligjit për barazinë gjinore, për shkak të presionit të fortë të lëvizjeve antigjinore, ligji nuk u miratua, thuhet në raport.
Komiteti i Helsinkit gjatë vitit të kaluar ka realizuar gjithsej 10 vizita në institucionet e vuajtjes së dënimit në INP Idrizovë, INP Shtip, INP Prilep dhe Burgun e Kumanovës.
Personat e dënuar nuk kanë qasje adekuate në kujdesin shëndetësor, kushtet materiale të jetesës janë të këqija, kurse programet e risocializimit, kushtet për zbatimin e tyre dhe ndihma pas dënimit janë ende të pamjaftueshme dhe të pazbatueshme.
Komisioni ende po e vë në dukje aktgjykimin ndaj Qeverisë së RMV-së dhe Komisionit Shtetëror Zgjedhor (KSHZ), të cilët kanë konstatuar se kanë bërë diskriminim të drejtpërdrejtë ndaj personave me aftësi të kufizuara gjatë ushtrimit të së drejtës së tyre të votës.