NTP “Shkup” nuk ka para për rroga, këshilltarët nuk i votuan subvencionet e reja prej 1.8 milionë euro
NTP “Shkup” nuk ka marrë subvencione të reja nga buxheti i Qytetit të Shkupit. Në mbledhjen e djeshme këshilltarët në Këshillin e Qytetit të Shkupit nuk e kanë votuar kërkesën e kryetares Danela Arsovska për ndarjen e 1,8 milionë eurove të reja për ndërmarrjen që transporti publik të funksionojë pa probleme, transmeton Portalb.mk.
Në këtë seancë nuk ishin të pranishëm as kryetarja Arsovska dhe drejtori i ndërmarrjes Kërste Petrevski, kështu që këshilltarët, si shumë herë më parë, thanë se nuk mund të votojnë për një pikë kur nuk marrin informacion.
“Ky Këshill në disa raste ka kërkuar informacion nga ndërmarrja se ku shpenzohen paratë që ne japim. Këtë vit i janë dhënë 630 milionë denarë NTP dhe nuk kemi marrë asnjë letër se ku kanë përfunduar këto mjete. Edhe tani nuk kemi informacion se për çfarë duhen këto para”, tha koordinatorja e VMRO-DPMNE-së, Maria Andonovska.
Në vend të Arsovskës dhe Petrevskit, këshilltarëve shkurt iu përgjigj sekretari Zoran Gligorov, i cili tha se paratë i referohen pagave të punëtorëve dhe kësteve të shlyerjes së kredisë për autobusët që janë blerë në vitin 2019.
“Qëllimi i këtyre mjeteve është ekskluzivisht që punonjësit të marrin pagë dhe të mos ketë deformime në operim, si dhe të paguajnë këstin e kredisë në shumën rreth 1 milion euro. Nëse nuk e votoni këtë vendim, do të jetë jashtëzakonisht e vështirë dhe do të rrezikohet funksionimi i transportit publik”, tha Gligorov.
Kërkesa nuk u pranua pasi shumica e këshilltarëve nuk e votuan këtë pikë.
Pas përfundimit të seancës, pasdite, konferencë për media mbajti drejtori Kërste Petrevski, i cili u ankua se këshilltarët e LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së po e bllokojnë NTP-në. Petrevski deri më tani asnjëherë nuk është përgjigjur në pyetje gazetareske, e as nuk ka folur me media për gjendjen në kompani.