June 23, 2024
Maqedoni

Njihuni me arsimtaren maqedonase nga Shkupi e cila më shumë se tri dekada mëson dhe edukon nxënësit shqiptarë

Në Maqedoni ka shumë raste ku mësimdhënës të një komuniteti u ligjërojnë dhe edukojnë nxënësit e një komuniteti tjetër. Por të rralla janë rastet aq afatgjate, si ai i mësueses së shkollës fillore “Gjergj Kastrioti Skenderbeu” në Haraçinë, Iskra Grasheska, e cila edhe pse është maqedonase, gati tërë karrierën profesionale, respektivisht më shumë se tri dekada ka kaluar dhe po kalon duke mësuar dhe edukuar nxënës shqiptarë. Në një bisedë të zhvilluar për portalin Lideri.mk, arsimtarja Greshkovska përshkruan në pika të shkurtëra 34 vitet e kaluara në këtë shkollë:

Fillimet e mia në arsim datojnë moti kohë që nga viti 1987, kur u punësova si zëvendësuese në SHF “Nevena Georgievska Dunja”, pastaj vazhdova në shkollën fillore “25 Maji” dhe arrita deri te shkolla fillore në Haraçinë.

Në vitin 1989 u punësova në këtë shkolla që asokohe mbante emrin “Josip Broz Tito”, e që pastaj u zëvendësua me emrin e tanishëm “Gjergj Kastrioti Skenderbeu. Në Haraçinë punoj gati 34 vite.
Kur erdha për herë të parë u befasova pozitivisht. Shkolla e Haraçinës ishte aq e organizuar, kurse pozitivisht u befasova edhe nga fëmijët, nga respekti i tyre ndaj arsimtarëve në përgjithësi.

Asnjëherë nuk kamë vërejtur as më të voglin dallim në sjelljen e tyre ndaj arsimtarëve shqiptarë dhe ndaj meje.
Pedagogu Lazim Rexhepi çdo herë dinte të thotë “Iskra, njerëzit çdo herë dinë të tregojnë se kë e duan”. Unë ndihesha e plotësuar dhe me fat që e punoj profesioninn tim, pa marë parasysh se ku.
Para se të vij në këtë mjedis, asnjëherë nuk kam menduar se rruga ime profesionale do të më sjellë në Haraçinë, por tani shpresoj dhe dëshirojë që këtu ta përfundoj edhe karrierën time profesionale.
Në këtë shkollë jam pranuar shumë pozitivisht na kolektivi shkollor dhe meqë jam person komunikativ, shumë shpejt u adaptova.

Menjëherë më caktuan kujdestare klase dhe nuk kam vërejtur asnjë dallim mes nxënësve të këtushëm dhe nxënësve nga shkollat e mëparshme, në kuptim të sjelljes së tyre ndaj meje. Fëmijët janë fëmijë pa marë parasysh ku janë dhe nga janë. Shumë pozitivisht u pranova nga ana e tyre. Gjuha nuk duhet të jetë pengesë për raporte të mira mes njerëzve. Unë e dua profesionin tim dhe asnjëherë nuk kam pasur vështirësi të gjej mënyrë adekuate të kuptohem me nxënësit e mij.

Krejt kjo mund të mbështetet edhe me suskeseset që i kemi arritur bashkë me nxënësit e shkollës tonë. Do të numëroj disa prej tyre.
Kemi marë pjesë në projektet për aktivitete klimatike (Climate Action Edu), ku arritëm suskes të dalluar.
Para dy viteve nxënësja Ardiana Ajdari fitoi vendin e tretë gjatë pjesëmarrjes në Festivalin letrar për fëmijë “Rakatki”, kurse Belinda Ajdari fitoi mirënjohje për pjesëmarrje në konkursin e Klubit Letrar “Kiril Pejçinoviq” në Tetovë, pashtu për poezi.
Kemi marë pjesë edhe në trajnimin ESO Sweden ku poashtu kemi shënuar sukses.

Ajo thotë se çdo mësimdhënës vazhdimist duhet të punojë dhe të avancojë kapacitetet e veta profesionale që të jetë në hap me kohën.

“Unë si arsimtare, për të mundur t’i përcjellë trendet në arsim por edhe arsimimin digjital, vazhdimisht lexoj dhe profesionalizohem, e për këtë dëshi janë certifikatat e shumta. Dy vite me radhë jam MIE Expert, Wakelet-Ambasador, por kam pranuar edhe shumë mirënjohje tjera.
Gjatë kohës së mësimit online, me nxënësit kam shfrytëzuar forma të ndryshme digjitale për krijimin e prezentimeve, kuiceve dhe lojërave edukative që arsimi të jetë më atraktiv dhe më i afërt për këto fëmijë që megjithatë gjuhën maqedonase nuk e kanë gjuhë amtare.
Karriera ime tani është kah fundi. Shumë fëmijë kanë kaluar në klasët e mia dhe përmes duarve të mia. Ish nxënësit e mij tani gjatë kohë janë prind të nxënësve të mij aktualë. SHpeshherë ata vijnë më vizitojnë dhe ma kujtojnë të kaluarën. Me një pjesë e nxënësve të mi tash jemi kolegë me të cilët punojmë bashkë. Wshtë ndjenjë e bukur kur të takojnë dhe të thonë: Ti ke qenë mësuesja ime më e dashur.

Veçanërisht interesante është përgjigja në pyetjen se “Cili është kujtimi juaj më i mirë gjatë karrierës profesionale?”.

“Nuk kam kujtime të këqija, që të mund t’i veçoj kujtimet e mira. Të gjitha janë pak a shumë kujtime të këndshme. Secila gjeneratë ka sjellë përshtypjet e veta dhe kanë lënë kujtime të mira. Para disa viteve, para pandemisë, pata një grup nxënësish me të cilët vazhdimisht zbulonim mundësi të reja për literaturën, prandaj vizitonim monumente të ndryshme siç është Shtëpia e Nënë e Terezës, Muzeu i VMRO-së, KAlaja e SHkupit, shkonim në panaire librash dhe zhvillonim shumë aktivitete tjera për të cilat flasin fotografitë dhe kujtimet tona, të cilat çdo herë do të mbeten në kujtimet e mia.
“. /Lideri.mk

Në vazhdim ju sjellim edhe fotografitë që dëshmojnë për sukseset e arritura të arsimtares Grasheska me nxënësit e shkollës “Gjergj Kastrioti Skenderbeu” nga Haraçina, por edhe që tregojnë momentet e kaluara së bashku me kolektivin e kësaj shkolle: