Maqedoni

Njëri nga personat e qëlluar është në gjendje kritike, tjetri është transferuar në Kirurgjinë Torakale

Pas të shtënave të sotme në Qendrën tregtare “East Gate Mall”, një person ndodhet në gjendje kritike për jetë, ndërsa një tjetër është transportuar në Klinikën për kirurgji torakale. Informacionin për MIA-n e ka konfirmuar drejtori i Klinikës për sëmundje kirurgjike “Shën Naumi i Ohrit” në Shkup, Ljuben Arsenkov.

“Dy pacientë janë shtruar në spital, bëhet fjalë për dy persona meshkuj. Njëri pacient është ndalur tek ne, menjëherë është dërguar në sallën për operacion për shkak të lëndimeve serioze. Ai është në gjendje rëndë dhe po i bëhet një intervenim kirurgjik për shkak të lëndimeve në bark dhe krahëror. Ndërsa tjetri është dërguar nlë Klinikën për kirurgji torakale. Të dy pacientët kanë plagë nga armë zjarri”, ka sqaruar Arsenkov.

Ministria e Punëve të Brendshme ka konfirmuar se ka pasur të shtëna në këtë qendër tregtare në Shkup, ekipe të MPB-së janë në terren për zbardhjen e rastit.