Lajmet e rejaMaqedoni

Një vit pas fillimit të luftës, shumica e maqedonasve me Rusinë, shqiptarët me Ukrainën

Numër më i madh i maqedonasve e përkrahin Rusinë se Ukrainën, tregon anketa e realizuar nga Detektor e publikuar në muajin janar, të dhënat e të cilës i risjellim në një vjetorin e fillimit të agresionit rus.

Sipas kësaj ankete, 27 për qind e maqedonasve e përkrahin Rusinë, kurse 18 për qind Ukrainën. Rreth 42 për qind e maqedonasve tē anketuar thonë se nuk përkrahin asnjërën palë, transmeton Lideri.mk.

Krejtësisht ndryshe është disponimi i shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut. Sipas anketës, 47 për qind të shqiptarëve e përkrahin Ukrainën, vetëm 4.5 për qind janë deklaruar për Rusinë, kurse rreth 48 për qind asnjërën palë.
E njëjta anketë tregon se shumica e shqiptarëve janë pro vendosjes së sanksioneve ndaj Rusisë, kurse shumica maqedonase kundër.

Ndryshe Njëvjetori i agresionit rus në Ukrainë është shënuar edhe në Shkup. Krerët e vendit me mesazhe se populli ukrainas nuk ëhstë I vetëm në këtë betejë. Kjo ditë është shënuar edhe nga shoqata ukrainase që veprojnë në vendin tonë.

Shoqata e ukrainasve në Maqedoninë e Veriut, “Lesja Ukrainka”, me rastin e njëvjetorit të invazionit rus, ka organizuar një miting proteste.

Pjesëmarrësit, sic njofton KlanM, nga sheshi “Makedonija” janë drejtuar në parkun “Gruaja luftëtare” ku kanë vënë kurora me lule para përmendores së poetit, shkrimtarit dhe politikanit të njohur ukrainas, Taras Shevçenko.

“Këtu jam që t’i përkrah ukrainasit, kam familjarë ukrainas dhe këtu jemi sigurisht për të shënuar përvjetorin e luftës agresore Ruse ndaj në një shteti sovran.”

“Për fat të keq mund të them se me ato që kontaktoj ato janë mësuar me bombardimet atje, çdo sekondë mund t’i godasë raketë në ndërtesë dhe ato nuk kanë më nerva që të ikin në vende për t’u fshehur dhe që të kthehen pas çdo sulmi dhe funksionojnë ashtu siç munden në situata të tilla, hapen dyqane në Ukrainë, punojnë edhe shkollat por në kushte të tilla që të mbrohen.

Pendarovski: Ukraina është fituese morale, bashkoi botën demokratike

Rezultati i vetëm i drejtë është çlirimi i të gjithë territorit të Ukrainës, tha presidenti Stevo Pendarovski në njëvjetorin e agresionit rus. Ai tha se Ukraina është fituese morale, sepse ka bashkuar botën demokratike pas kauzës së saj. Bota demokratike nuk ka të drejtë të mposhtet sepse sipas Pendarovskit kemi një luftë të diktaturës kundër demokracisë.

“Zgjedhja se kur dhe në çfarë kushtesh do të ndodhë paqja është zgjedhja më e drejtë për vetë qytetarët ukrainas, të cilët po luftojnë për mbijetesën e tyre. Mbështetja jonë për përpjekjet e tyre do të vazhdojë të jetë e qartë dhe konkrete”, deklaroi Stevo Pendarovski – President.

Presidenti shtoi se vendi do të vazhdojë të ndihmojë Ukrainën, me ndihma humanitare, teknike dhe ushtarake. Nga ana tjetër, ambasadorja e Ukrainës në vend, Larisa Dir, falënderoi për ndihmën e ofruar. Ajo tha gjithashtu se gabimi më i madh i Rusisë ishte nënvlerësimi i rezistencës ukrainase.

“Arsyeja e vetme për këtë agresion të paprovokuar ishin ambiciet neo-perandorake të shtetit rus, dhe kreut të saj. Presidenti i Rusisë bëri një gabim fatal. Në realitet, Rusisë jo vetëm që i dështoi invazioni, por gjithashtu i humbi edhe territoret që më parë i pushtoi”, u shpreh Larisa Dir, ambasadore e Ukrainës.

Ministrja e Mbrojtjes Sllavjanka Petrovska, theksoi se në krahasim me kapacitetet e brendshme, vendi është në grupin e vendeve që e ndihmojnë fuqishëm Ukrainën në mbrojtje nga agresioni. Petrovska theksoi se mbështetja dhe ndihma jonë do të jenë në dispozicion, derisa populli ukrainas të realizojë të drejtën e tij për të lëvizur lirshëm dhe për të jetuar në territorin e tij.

“Kjo nuk është vetëm një luftë e Ukrainës, kjo është një luftë për të ruajtur të gjithë rendin ndërkombëtar, i cili bazohet në rregulla dhe parime. Liria nuk ka çmim, ashtu siç nuk ka asnjë çmim mbështetja dhe ndihma jonë për Ukrainën. Lavdi Ukrainës!”, tha Slavjanka Petrovska – Ministre e Mbrojtjes.

Përvjetori i parë i fillimit të luftës u shënua përmes konferencës “Ukraina – një vit heroizëm” organizuar nga ambasada ukrainase dhe OJQ Civil.