Nikolloski paralajmëron fluturime të lira për në Dubai dhe Barcelonë
Dubai, Barcelona, Lioni, Shtutgarti, Bazeli dhe Stambolli janë gjashtë destinacionet drejt të cilave nga viti i ardhshëm do të ketë fluturime direkte nga aeroporti i Shkupit dhe i Ohrit, njoftoi sot ministri i Transportit Aleksandar Nikolloski.
“Nga 30 qershori Shkup-Barcelona-Shkup do të fluturojë dy herë në javë, duke hapur Spanjën si destinacion. Nga 30 qershori Shkup-Lyon-Shkup do të fluturojë tre herë në javë, duke hapur për herë të parë si destinacion Francën jugore. Nga viti i ardhshëm do të ketë fluturime tre herë në javë në linjën Shkup-Shtutgart-Shkup, e cila hap pjesën perëndimore të Gjermanisë”, ka thënë Nikolloski.
Nga aeroporti “Shën Apostulli Pal” në Ohër, nga viti i ardhshëm do të ketë fluturime në linjën Ohër-Bazel-Ohër.
Lajmi më domethënës për risitë e paraqitura në aeroportin e Ohrit, sipas ministrit, është se “Turkish Airlines” do të prezantojë fluturime të rregullta në linjën Ohër-Stamboll-Ohër nga 30 marsi i vitit të ardhshëm.
“Kjo do të thotë se ne po hapim aeroportin e Ohrit si destinacion për aeroportin më të madh në Evropë dhe një aeroport që ka më së shumti fluturime lidhëse prej nga mund të fluturosh më tutje, që do të thotë një faqe krejtësisht e re e aeroportit të Ohrit”, tha Nikolloski.