May 24, 2024
Maqedoni

Ngecjet për shtetësinë, Ahmeti nuk i din arsyet

Çështja e problemit me marrjen e shtetësisë nuk është e pazgjidhshme dhe tashmë është e konsumuar nëpër të gjitha institucionet, vlerëson kreu i BDI-së Ali Ahmeti, në pyetjen nëse partia e tij ka fuqi politike për zgjidhje, kur ka funksionarë nëpër të gjithë filtrat shtetëror ku kalon procedura e shtetësisë, shkruan Alsat.

Ai thotë se arsyet që procedurat kanë ngecur, për to janë të panjohura.

“Janë rreth 3 mijë njerëz në pritje për shtetësi të cilët për arsye të panjohura për ne akoma nuk e kanë fituar të drejtën legjitime që të kenë shtetësi. Jemi duke e analizuar, duke e biseduar për të pasur një epilog në dobi të njerëzve”, u shpreh Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.

Ligji për shtetësi u miratua në korrik të vitit 2021. Ndër ndryshimet e bëra ishte e drejta për shtetësi për personat që kanë jetuar në territorin e vendit para shpalljes së pavarësisë. Partia që inicioi këto ndryshime, Aleanca për Shqiptarët, thotë se ndjek zbatimin e ligjit. Ka paralajmëruar bllokim të Kuvendit nëse ligji nuk gjen zbatim.

“Agjencia për Siguri Kombëtare nuk është në asnjë moment kompetent për të shqyrtuar ata persona të cilët kërkojnë shtetësi në bazë të dispozitës kalimtare. Ajo dispozitë është shumë e qartë. Ajo thotë se të gjithë personat që kanë jetuar në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut para 8 shtatorit të viti ’91, mund të marrin shtetësi vetëm me njërin nga dokumentet nga lista prej 16 dokumenteve të paraqitura. Edhe pas miratimit e këndej po ndjekim më vigjilencë dhe do të veprojmë komfor situatave që do të krijohen”, tha Ilire Dauti, Aleanca për Shqiptarët.

Drejtori i Agjencisë për Siguri Kombëtare Viktor Dimovski është ftuar që brenda një jave t’i japë raport kryeministrit Kovaçevski për kërkesat për shtetësi që nuk kanë marrë epilog prej vitesh. ASK-ja pretendon se ka trashëguar nga ish Drejtoria për Siguri dhe Kundërzbulim rreth 20 mijë kërkesa për shtetësi. Sipas informacioneve të Alsat 2657 janë akoma në sirtar, pa marrë një përgjigje. Deri tani në Alsat janë raportuar një sërë rastesh kur qytetarët që i plotësojnë kushtet, janë të martuar me shtetas të vendit ose kanë jetuar brenda territorit që para pavarësisë cilësohen si “të rrezikshëm për shtetin” dhe u refuzohet shtetësia. /Alsat.mk