New York, rifillon gjyqi penal ndaj ish-Presidentit Trump
Ish-Presidenti Donald Trump u rikthye sot në sallën e Gjykatës së Manhatanit në Nju Jork për procesin penal kundër tij lidhur me akuzat se ka fshehur pagesat në këmbim të heshtjes së aktores së filmave pornografikë Stormy Daniels, mbi një lidhje të dyshuar jashtëmartesore me të.
Zotit Trump iu refuzua nga gjykatësi i çështjes Juan Merchan që ai të mos ishte i pranishëm sot në sallë pasi donte të shkonte në Gjykatën e Lartë në Uashington, ku do të dëgjohen argumentet nëse ai ka imunitet presidencial nga ndekja penale për veprime që ka ndërrmarrë gjatë kohës që ishte në ushtrim të detyrës.
“Sot kemi një çështje të rëndësishme”, tha zoti Trump gjatë një takimi me punëtorët e ndërtimit në Manhatan, herët në mëngjes, në kuadër të fushatës presidenciale. “Gjykatësi nuk më lejoi të shkoj ta ndjek çështjen”, tha ai.
“Paraqitja e argumenteve në Gjykatës së Lartë ështe e rendësishme dhe sigurisht mund ta kuptoj se përse klienti juaj do të dëshironte të ishte atje, por gjyqi penal në Gjykatën e Lartë të Nju Jorkut është gjithashtu një çështje me rëndësi”, i tha gjykatësi Merchan avokatit të zotit Trump, Todd Blanche javën e kaluar, kur hodhi poshtë kërkesën.
Në seancën e sotme në Nju Jork do të vazhdohet me dëshminë e David Pecker-it, ish-botuesi i tabloidit të njohur ‘National Enquirer’, i cili të martën tha se i kishte premtuar zotit Trump të ishte “syri dhe veshi” i tij gjatë fushatës presidenciale në vitin 2016.
Zoti Pecker shpjegoi se si ai dhe “National Enquirer” përdorën lidhjet e tij për të bllokuar historitë qe mund te demtonin zotit Trump.
Prokurorët thonë se zotit Pecker ka paguar me 150 mijë dollarë modelen Karen McDougal, e cila pretendon se ka patur një marrëdhënie 10-mujore me zotin Trump, për të blerë të drejtat e historisë së saj, një histori që nuk u publikua asnjëherë.
Pjesë e së njëjtës skemë, sipas akuzës, ishte dhe pagesa për aktoren e filamve pornografikë Stormy Daniels prej 130 mijë dollarësh, që ajo të heshtte mbi marrëdhënien e dyshuar me zotin Trump.
Zoti Trump i ka hedhur poshtë pretendimet e ngritura nga të dyja gratë se ka patur marrëdhënie jashtëmartesore me to./VOA