“Nëse bombardimi i Gazës nuk ndalet, ne do ta ndërpresim furrnizimin e botës me gaz”
Shkruan: Nefail Emini
Ky ishte titulli i një artikulli i cili supozonte se po transmetonte deklaratat e Emirit të Katarit, Sheikh Tamim bin Hamad al-Thani, që u përhap me një shpejtësi shumë të madhe, duke ngjallur frikën për një krizë të mundëshme energjetike botërore dhe përsëritjen e krizës së Naftës të vitit 1973. Ndonëse lajmi doli të ishte “Fake News”, ai tregoi rëndësinë jetike që ka rajoni i Lindjes së Mesme në gjeopolitikën energjetike dhe tregun global energjetik përshkak të rezervave të mëdha të naftës dhe gazit që ka nënëtoka e saj.
Sa e pasur është Lindja e Mesme me naftë?
Historia e zbulimit dhe prodhimit të naftës në Lindjen e Mesme është relativisht e hershme, dhe daton që në fillesat e shekullit XX, por që e njejta në një periudhë shumë të shkurtër do të shëndrrohet në burimin më të rëndësishëm energjetik për industrinë globale dhe në të njejtën kohë edhe një faktor i konkurrencës gjeopolitike. Nafta për herë të parë u zbulua në vitin 1908 në Iran, i cili në atë kohë ka qenë e njohur si Persi, ndërsa prodhimi i saj filloi në vitin 1913. Pas Iranit, nafta u zbulua edhe në vendet tjera të Lindjes së Mesme, si në Irak në vitin 1928, Bahrejn 1932, Arabi Saudite 1939, Kuvajt 1946.
Sot Lindja e Mesme përmban 48 % të rezervave të provuara të naftës në botë, duke e bërë rajonin më të pasur në planet me këtë burim energjetik. Gjithashtu është rajoni i cili prodhoi më shumë naftë në vitin 2022, ku në këtë vit u prodhuan 30,743 fuçi në ditë (1 fuçi ka 159 litra naftë) apo 32.8 % të furnizimit global. Arabia Saudite është shteti i dytë në botë menjëherë pas Venezuelës për rezervat e naftës, ku nëntoka e saj përmban 267.19 miliard fuçi apo 21.5 % te rezervave globale, Fusha Gawhar është rezerva më e madhe në botë e cila përmban 96 miliard fuçi dhe prodhim ditor 3.8 miliona fuçi.Riadi në vitin 2022 ka prodhuar 12.136 mijë fuçi në ditë apo 12.9 % të prodhimit botëror. Irani zë vendin e tretë me 208.60 miliard fuçi apo 16.8 % të rezervave globale. Irani në vitin 2022 ka prodhuar 3.822 fuçi në ditë apo 4.1 % të totalit global, Iraku renditet i katërt me 145.02 miliard fuçi apo 11.7 % të rezervave globale, ndërsa në vitin 2022 ka prodhuar 4.520 fuçi apo 4.8 të prodhimit global. Këto shifra tregojnë fuqinë energjetike dhe gjepolitike të këtyre vendeve në politikën dhe ekonominë globale.
Sa gaz natyror ka Lindja e Mesme?
Lindja e Mesme pos rezervave gjigante të naftës që ka, ajo është e pasur edhe me gaz natyror, i cili po shëndrrohet në një burim shumë të rëndësishëm energjetik, duke prodhuar të ardhura të mëdha për shtetet që e posedojnë, por në të njejtën kohë, është shëndrruar edhe në një faktor të fuqishëm të përplasjes gjeoplitike për ta kontrolluar apo edhe zotruar atë. Rajoni disponon 36 % të rezervave të gazit natyror, ndërsa Irani renditet si shteti i dytë me17.3% të rezervave globale, i treti në listë është Katari me 12.5%, Arabia Sudite me 4.2 %. Në vitin 2022 Irani prodhoi 244 miliardë metra kub gaz apo 6 % të prodhimit global, Katari ka prodhuar 170 miliardë metra kub gaz apo 4 % të kërkesës globale. Pos këtyre vendeve, sasi shumë e madhe e gazit është zbuluar nga Izraeli në ujrat e Mesdhut Lindor, ku llogaritet se nëntoka e saj mban 1.087 miliard metër kub, duke eksportuar 9.21 miliard metër kub gaz natyror duke e shëndrruar atë në një faktor me peshë në tregun energjetik global. Turqia është një shtet tjetër i Lindjes së Mesme, i cili në vitet e fundit ka zbuluar sasi shumë të mëdha të gazit natyror që llogaritet në 710 miliard metër kub. Gjithashtu edhe Qiproja ka zbuluar gaz natyror, ndërsa parashikimet theksojnë se nëntoka e Mesdheut Lindor përmban deri në 122 trilion metër kub gaz dhe 1.5 deri në 2 miliard fuçi nafte.
Gjeopolitika energjetike dhe lufta në Gaza
Duke marrë parasysh potencialin energjetik që ka rajoni, çdo përshkallzim i mundshëm i konfliktit në Lindjen e Mesme, do të kishte pasoja shumë të rënda, apo edhe katastrofike për tregun enegjetik global, duke krijuar ndërlikime të jashtëzakonshem në gjeopolitikën energjetike, e cila lehtësisht mund të çoj në një përballje botërore mes fuqive të mëdha. Impakti i rajonit si hambar energjetik u pa menjëherë pas fillimit të luftës, ku tregjet ndërkombëtare energjetike reaguan në panik duke rritur çminin e tyre në bursa.
Egjipti është shtet fqinj i Izraelit, i cili në dekadën e fundit është shëndrruar në një shtete nyje (Hub Contry) për shpërndarjen e naftës dhe gazit që prodhohet në Lindjen e Mesme dhe për destinacion ka tregjet e Bashkimit Evropian. Në vitin e kaluar u nënshkrua një memorandum mirëkuptimi mes Brukselit, Tel Avitit dhe Kajros për krijimin e infrastrukturës për dërgimin e gazit së shtetit hebre drejt kontinentit të vjetër. Në rast se lufta zgjerohet, atëherë “kurban” i saj do të jetë edhe edhe gazi, për të cilin Europa ka shumë nevojë, posaçërisht tani kur jemi në prag të stinës së dimrit, varësisë total të saj nga burimet e huaja, dhe mungesës së gazit rus si pasojë e sanksioneve që erdhën si rezultat i agresionit në Ukrainë. Një situatë e tillë do të rriste tensionet brena Evropës, duke prodhuar një destabilitett që do ta trondisë tërë kontinentin, dhe më gjërë, pasi destabiliteti i Evropës nënkupton destabitet të botës. Gazi nuk është viktima e vetme në rast se Kajro përfshihet në konflikt, pasi të njejtin fat do ta përjeton edhe nafta.
Tubacioni “SUMED” shtrtihet në Egjipt, i njëjti transporton naftë nga Vendet e Gjirit në drejtim të tregjeve Europiane dhe SHBA-ve, me një kapacitete prej 2.5 milion fuçi në ditë. Nësë ky tubacion ndalon së funksionuari, do të shkatonte bllokim të industriës në Evropës duke sjellë pasoja të pa parashikueshme.
Një faktor tjetër që do të sillte pasoja katastrofike energjetike dhe ekonomike, është edhe Kanali i Suezit, i cili lidh Detin e Kuq me Detin Mesdhe. Ky kanal ka qenë shkak i luftës mes Egjiptit dhe koalicionit Britani e Madhe-Francë-Izrael në vitin 1956, që flet për rëndësinë e madhe gjeopolitike që ka Suezi. Në këtë kanal kalojnë mesatarisht 18 mijë anije në vit, dhe rreth 9 % e totalit të naftës botërore, ku çdo mbyllje e mundsheme saj, do të shkaktonte tronditje të fuqishme energjetike dhe ekonomike, duke ndikuar që shtetet të humbin arsyen dhe të përfsihen në një konflikt me përmasa të mëdha.
Irani është një shtet tjetër që mund të përfshihet në luftë, edhe pse është larg nga Izraeli, por që Tel Avivi e ka akuzuar atë për përfshirje në ngjarjet e funidt që po ndodhin në Gaza. Irani është një fuqi energjetike pasi renditete e treta në botë dhe e dyta në Lindjen e Mesme për rezervat e naftës, ndërsa e dyta në botë për nga rezervat e gazit. Irani vetëm në gusht të këti viti ka eksportuar 1.5 milion fuçi nafte në ditë në drejtim të Kinës, pavarsisht sanskioneve që ka nga komuniteti ndërkombëtarë, që është një tregues për fuqinë energjetike që ajo disponon, dhe impaktin e fuqishmëm gjeopolitik dhe gjeoenergjetik në politikën globale. Nëse kjo naftë do të ndalet, atëherë do të kishte impakt të fuqishëm në ekonominë e Kinës, duke e detyruar Pekinin të përfshihet në konflikt për të siguruar energjinë e nevojshme për industrinë e saj, por në të njejtën kohë kjo do të thoshte edhe luftë globale. Irani në vitin 2021 eksportoi rreth 97 % të gazit natyror në drejtim të Turqisë dhe Irakut. Nëse shpërthen një luftë, atëherë prodhimi i gazit mund të ndërpritet duke krijuar vështirësi në këto dy shtete.
Irani kontrollon edhe ngushticën e Hormuzit, që është pika më e rëndësishme globale për kalimin e naftës dhe gazit nga shtete e Gjirit Persik dhe Iranit në drejtim të tregjeve të Evropës, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Azisë. Në këtë ngushticë kalojnë rreth një e gjashta e naftës botërore dhe rreth një e treta e gazit natyror. SHBA, kërcënimit të shpesht të Iranit për mbylljen e ngushticës i është përgjigjur shumë ashpër, duke deklaruar se mbajtja hapur e saj është interes strategjik dhe jetik për insteresat e saj, dhe për ta mbajtur të hapur atë, është e gatshme të përfshihet edhe ushtarakisht. Një luftë e mundëshme mes Izraelit dhe Iranit do të shpinte deri në mbylljen e saj, që pashmangshmërisht do të shkaktonte tronditje tektonike në ekonominë globale, duke detyruar përfshirjen e SHBA-së në konflikt, që do të rrezikonte të çoj në luftë globale.