Lajmet e rejaMaqedoni

Neproshten, prindërit kërkojnë ndërtimin e shkollës

Neproshten, prindërit kërkojnë ndërtimin e shkollës

Prindërit e nxënësve maqedonas të fshatit Neproshten të komunës së Tearcës shprehin revoltën e tyre për mos ndërtimin e shkollës së re. Nxënësit maqedonas të këtij fshati që nga viti 2002 mësojnë në baraka të improvizuara, pa kushte elementare, shkruan Alsat.

Prindërit thonë se kërkesa e tyre për ndërtimin e shkollës asnjëherë nuk mori përgjigje, ndërsa druajnë se për shkak të kushteve jopërkatëse mund të pësojnë fëmijët e tyre.

“Përgjegjësi duhet të mbaj dikush patjetër. 22 vite kërkojmë vazhdimisht të gjendet ndonjë zgjidhje që të kenë kushte normale fëmijët nga klasa e parë deri në të pestën. Këto më janë kushte jashtë çdo standardi”, tha njw prind.

Në Neproshten të Tearcës ka dhe shkollë tjetër, por prindërit nuk janë pajtuar asnjëherë që fëmijët e tyre të mësojnë atje.

“Me keqardhje e përseris që ata prindër duhet të jenë të vetëdijshëm që lejojnë që fëmijët e tyre të mësojnë në këto hapësira. Qëndrimi në këtë objekt 20 vite është përgjegjësi e atyre që çdo ditë hapin dhe mbyllin derën në objekt që nuk ka dritë, nuk ka ujë, nuk ka nyje të mira sanitare, pa hapësirë për aktivitete sportive pra pa nevojat minimale. Ne kemi kërkuar që kjo zgjidhje të bëhet sa më parë, jo nesër, por është dashur dje të kryhet, por kjo ndodh shkaku i plotësimit të dëshirave të disa individëve. Shkolla e Neproshtenit ne mburremi sepse është e ndërtuar në 46 dhe jo që ka kushte maksimale por janë kushtet. Dhe derisa aty ka kushte për mbi 100 nxënës, përse këta 12 nxënës nuk arrijnë ta gjejnë veten nën këtë kulm”, u shpreh Nuhi Neziri, kryetar i komunës së Tearcës.

Barakat e përkohshme ku mësojnë nxënësit maqedonas janë vendosur pas konfliktit të vitit 2001, ndërsa prindërit asnjëherë nuk janë pajtuar që fëmijët e tyre të transferohen në shkollën e Neproshtenit.