Nëntë vjet nga aksioni i policisë pas vrasjes së pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës
Më 1 maj të vitit 2021 policia filloi të bastisë disa shtëpi shqiptare në rajonin e Shkupit, me pretekstin se kërkonte vrasësit e pesë personave në afërsi të Liqenit të Smillkovës. U bastisën dhjetëra shtëpi që kishin rezultuar me 20 të arrestuar, në mesin e të cilëve edhe një plakë 65 vjeçare. Aksioni policor mbante emrit e koduar “Monstra”, ndërsa verdikti u shpall në konferencë për shtyp, ende pa shkuar rasti në Gjykatë. Ish ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska doli në media dhe tha se kanë arrestuar vrasësit që i quajti një grup terrorist islamik. Pranë Jankullovskës qëndronte zëvendësi i saj, kuadër i BDI-së, Xhelal Bajrami i cili miratonte ato çfarë kishte thënë Jankullovska për shqiptarët e arrestuar.
Pas terrorit të shkaktuar për më shumë se 48 orë, shumica e personave të kapur ishin liruar në mungesë provash ose lidhshmërie me rastin ndërsa vetë, Fejzi Aziri, Agim Ismailoviq dhe Rami Sejdiu мbetën në listën e të dyshuarve. Për Ali Demirin dhe Afrim Ismailloviqin u shpall flet arrest ndërkombëtarë dhe ata u arrestuan më vonë në Prishtinë, ku dhe vuajtën dënimin për një vepër tjetër. Mes personave që u arrestua më 1 maj ishte edhe Haki Aziri, për të cilin pas ditësh kërkim u mor vesh se ai ishte marrë si dëshmitar i mbrojtur, por më vonë pasi kishte refuzuar të dëshmojë, ishte bërë i akuzuar .
Gjashtë muaj më vonë, më 2 dhjetor të vitit 2012, në Gjykatën Themelorë Shkup 1 nisi procesi gjyqësor. Në listën e të akuzuarve për terrorizëm që e përpiloi prokurorja Gordana Geshkovska gjendej tashmë edhe një emër i ri, Sami Luta. Avokatët e quajtën rastin si një konstruksion me prapavi politike sidmos për faktin se asnjë provë materiale nuk i lidh të akuzuarit me veprën penale. Më 30 qershor të vitit 2014 u soll aktvendimi i shkallës së parë ku u dënuan pesë të akuzuar me burg të përjetshëm, ndërsa njëri, Sejdi Rami u shpall i pafajshëm. Këtë vendim e konfirmoi së fundmi edhe Gjykata e Apelit.
Këto dënime ngallën revoltë të madhe tek familjarët e të akuzuarve dhe qytetarët shqiptarë në mbarë vendit, që shpërtheu me protesta në muajin korrik. Në protestat e mbajtura në Shkup dhe qytetet e tjera ka pasur përplasje mes forcave policore dhe protestuesve. Në këto protesta 6 pjesmarrës u dënuan me nga 3 vjet burg.
Më 9 shkurt të vitit 2015 kryeministri aktual dhe lideri i opozitës së atëhershme, Zoran Zaev, filloi publikimin e “bombave” ku lindi shpresa se ndoshta në ato materialet që Zaev publikonte krimin e pushtetit të Gruevskit ndodhet e vërteta për “Monstrën”. Shpresat për këtë I ngjalli vetë lideri i LSDM-së duke thënë se në mesin e bisedave të përgjuara ka materiale që dëshmojnë të vërtetën për këtë rast.
Në shtator të po të njëjtit vit me marrëveshje të katër partive më të mëdha u themelua Prokuroria Speciale, ndërsa në muajin tetor të vitit 2017 Prokurorja publike Liljana Spasovska në seancën publike të Gjykatës Supreme, kërkoi pezullim të aktvendimit të shkallës së parë dhe të dytë dhe kthimin e lëndës në rigjykim. Gjykata supreme, më 1 dhjetor 2017 miratoi vendimin dhe lënda kthehet në rigjykim në shkallë të parë.
Pas 5 viteve qëndrim në burg, u liruan të dënuarit, Sami Luta, Haki Aziri, Agim Ismailloviq dhe Fejzi Aziri, ndërsa ju shqiptua masa e kujdesit, gjegjësisht të mos lejohen që ta lëshojnë qytetin e Shkupit dhe të paraqiten te personi zyrtar në Gjykatën Themelore Shkupi 1 dy herë në javë. Fejzi Aziri përkohësisht u lirua nga burgu për shkaqe shëndetësore dhe më pas ishte kthyer për një rast tjetër për të cilën i është shqiptuar masa e dënimit prej 6 vjet e gjysmë. Nga ky grup i të akuzuarve, aktualisht në arrati vazhdojnë të jenë dy të akuzuarit Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri, të cilët për herë të fundit u konfirmua se kanë qenë në Kosovë.
Më 12 shkurt të vitit 2018 filloi rigjykimi për rastin “Monstra” që do të gjykohej nga Ognen Stavrev dhe Osman Shabani, ndërsa nga 21 marsi 2018 rastin “Monstra” e mori në procesim Prokuroria Speciale Publike. Edhe pas shfuqizimit të kësaj prokurorie, lëndën në gjykatë vazhdoi ta përfaqësojë prokurorja e dikurshme speciale, Fatime Fetahi e cila në seancën ku u thanë fjalët përfundimtare kishte kërkuar dënimet të cilat sot edhe i shqiptoi Gjykata Penale, burg të përjetshëm për Alil Demirin, Agim dhe Afrim Ismailoviqin, 15 vite për Fejzi Azirin dhe 9 vjet për Haki Azirin. Ndërsa Sami Luta lirohet nga akuza dhe shpallet I pafajshëm.