Maqedoni

Negociatat me BE-në, Bullgaria propozon ndarjen e Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut

Bullgaria vlerëson se Shqipëria i ka përmbushur kriteret për mbajtjen e konferencën së parë ndërqeveritare me BE-në edhe pse vetoja e saj për shkak të kontestit me Maqedoninë e Veriut bllokoi hapin e radhës në integrimin e Tiranës dhe Shkupit. Dy vendet humbën më 22 qershor, për të tretin vit radhazi shansin për tu bërë palë në negociatat për anëtarësim me Bashkimin Europian.

Këtë vit, pavarësisht ndryshimit të qëndrimit nga vende spektike si Holanda, vendimi penalizues për dy shtetet u ndikua nga vetoja e Bullgarisë prej mosmarrëveshjeve kryesisht të identitetit me Shkupin zyrtar.

Por Bullgaria, ndërkohë, në Këshillin e Çështjeve të Përgjithshme të BE-së që u mblodh në qershor, kërkoi që perspektiva e Shqipërisë të mos bllokohej sepse i meritonte negociatat.

Televizioni Ora News në Shqipëri kontaktoi me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Bullgarisë për të mësuar mbi debatet e asaj dite mes kryediplomatëve europianë në Luksemburg.

Zyra e Shtypit theksoi se ndaj Shqipërisë nuk pati rezerva. Bullgaria i vlerëson reformat integruese në Shqipëri, me të cilën ka gati 100 vjet lidhje diplomatike, por e nxit megjithatë qeverinë që t’i vijojë ato, të forcojë partneritetin dypalësh dhe të mbrojë minoritetin bullgar në vend.

Ndërsa dihet pozicioni pozitiv për Tiranën, Sofja shprehet se do e vijojë dialogun me Shkupin për temat ende të pazgjidhura, me besimin që me t’i adresuar ato, dy shtetet kandidate të mund t’i hapin negociatat me BE-në brenda Presidencës aktuale sllovene.

Vizioni i Bullgarisë për rajonin e Ballkanit Perëndimor është për integrimin e tij tërësor në Bashkimin Europian.

Ora News: Të martën, gjatë diskutimeve në Këshillin e Çështjeve të Përgjithshme të BE, a ndau Bullgaria pikëpamjen se Shqipërisë meriton t’i jepet një dritë jeshile për negociatat me BE-në? A është Bullgaria pro ndarjes ose trajtimit të veçantë të procesit për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut?

Zyra e Shtypit e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Bullgarisë: Bullgaria është mbështetëse aktive e procesit të zgjerimit të BE-së drejt Ballkanit Perëndimor.

Presidenca bullgare e Këshillit të BE-së në vitin 2018 e vendosi rajonin në krye të axhendës së saj politike pas një pauzë 15-vjeçare. Përpjekjet tona gjatë Presidencës së Këshillit u pritën shkëlqyeshëm nga partnerët tanë në BE dhe nga Ballkani Perëndimor. Samiti i Sofjes dhe Deklarata e Sofjes përbëjnë zhvillime të rëndësishme për rajonin.

Për ne, parimi i meritës i secilit vend kandidat mbetet mbetet parimi udhëheqës në procesin e zgjerimit. Në bazë të kësaj dhe të progresit të arritur nga Shqipëria në plotësimin e kushteve përkatëse, kemi bërë thirrje herë pas herë, edhe në Këshillin e fundit të Çështjeve të Përgjithshme, që të miratohej Korniza e Negocimit me Shqipërinë.

Çfarë do sugjeronit që të bëjë Shqipëria për të pasur një përparim më bindës në rrugën e saj europiane?

Zyra e Shtypit e MPJ-së, Bullgari: Bullgaria ka qenë konsistente në mbështetjen e saj për integrimin europian të Republikës së Shqipërisë. Ne konsiderojmë se vendi ka arritur progres të rëndësishëm dhe rezultate të prekshme në përmbushjen e reformave që lidhen me BE-në. Këto reforma janë duke u bërë në interes të qytetarëve shqiptarë.

Ne e mirëpresim vendosmërinë e Shqipërisë për të vazhduar në këtë rrugë. Është e rëndësishme që qeveria e ardhshme t’i ndjekë reformat me të njëjtin angazhim dhe të përqendrohet në zbatimin efektiv dhe në krijimin e precedentëve të qëndrueshëm.

Dy raportet e njëpasnjëshme për Shqipërinë të përpiluara nga Komisioni Europian kanë qenë pozitive për vendin, dhe kanë theksuar progresin e arritur deri më tani për çështje të ndryshme. Përpjekjet e Shqipërisë duken edhe më bindëse duke pasur parasysh dy rrethana, pra që janë duke u bërë pavarësisht vështirësive që burojnë nga pandemia e COVID-19, shoqëruar edhe me përpjekjet për rimëkëmbje nga tërmeti i 2019-ës.

Një pikë tjetër shumë e rëndësishme është fakti se shqiptarët mbeten ndër qytetarët me orientimin më proeuropian në Ballkanin Perëndimor. Ky është një fakt i mirëpritur. Është tregues i zgjedhjes dhe i orientimit gjeopolitik të vendit. Minoriteti kombëtar bullgar në Shqipëri është një urë miqësie dhe partneriteti midis dy vendeve tona dhe do ta vazhdojmë bashkëpunimin tonë në këtë drejtim./ALSAT