Maqedoni

Në UT u mbajt “Dita e hapur”, morën pjesë një numër i konsiderueshëm maturantësh

Maturantë nga të gjithë qytetet e Maqedonisë së Veriut dhe më gjerë, sot morën pjesë në “Ditën e hapur”, që u organizua në Universitetin e Tetovës.

Bashkë me këtë aktivitet, në sheshin e Universitetit u organizua edhe Panairi i Karrierës, ku kompani të njohura i prezantuan produktet e tyre. “Dita e hapur” ka për qëllim që maturantët të njihen nga afër me ofertën akademike të Universitetit, programet studimore, laboratorët, ambientet, kushtet dhe mundësitë e shumta që Universiteti ofron.

Përgjegjësi i Zyrës për Arsim, Prof. Dr. Ibrahim Neziri, tha se pas përmbylljes së suksesshme të prezantimeve në shkollat e mesme, sot Universiteti i Tetovës e organizon “Ditën e hapur”. Për të gjithë të interesuarit, të cilët duan në mënyrë më objektive t’i vëzhgojnë, t’i shohin ambientet e Universitetit, fakultetet, programet studimore, laboratorët e ndryshëm, e kanë sot mundësinë përmes aktiviteteve të ndryshme me një agjendë të pasur, fakultetet dhe studentët, stafi dhe studentët janë përgatitur që përpara maturantëve të prezantojnë të gjithë ofertën akademike, programet studimore të cilët janë aktualisht aktivë. “Këtë vit Universiteti i Tetovës ofron 89-të programe studimore të akredituara në vitin 2021, të harmonizuara me tregun e punës, me nevojën e tregut të punës dhe të harmonizuara me zhvillimet bashkëkohore mësimore-shkencore. Në ciklin e dytë të studimeve janë gjithsej 94 programe studimore. Pra, këtë vit kemi një rritje të programeve, një agjendë më të pasur dhe mundësi më të mira për maturantët. Inkurajojmë maturantët që të shohin, të takohen me mësimdhënësit, të jenë sa më afër dëshirave dhe ideve të tyre që kanë për të ardhmen. I inkurajojmë që të zgjedhin drejtimin e duhur, profesionin e duhur, për shkak se për ne më e rëndësishme është që ata të jenë në rrugën e duhur dhe aty ku duhet. Konkursi për këtë vit akademik planifikon afërisht 3700 vende të lira. Gjithmonë duke u bazuar në vendet e lira sipas akreditimit të programit. Presim që Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut të aprovojë konkurset, që pastaj t’i shpallim dhe t’i publikojmë online në ueb faqen e universitetit. Po ashtu, vlen të theksohet se maturantët janë duke përdorur sistemin elektronik të aplikimit online, me qëllim që kur të vijë koha të aplikojnë mos të kenë vështirësi, pra të njihen me dokumentacionet, me procedurat që është e nevojshme. Jemi në pritje, do ta shohim se si do të vazhdojë procesi më tutje. Pritjet janë diku te 2000 studentë të regjistrohen edhe pse varet, sepse ka shumë faktorë të ndryshëm që mund të ndikojnë, por sidoqoftë për ne më e rëndësishme është cilësia e drejtimeve që do të zgjidhen se sa numri i tyre”, tha përgjegjësi i Zyrës për Arsim, Prof. Dr. Ibrahim Neziri.

Përgjegjësi i Zyrës për Shkencë dhe Inovacione, Prof. Dr. Agon Memeti u shpreh se në kuadër të organizimit të “Ditës së hapur”, e cila kryesisht organizohet për maturantët, Universiteti i Tetovës tradicionalisht organizon edhe Panairin e Karrierës, i cili ka të bëjë posaçërisht për absolventët dhe sektorin e biznesit. “Në fakt, këto janë dy shtyllat kyçe të cilat realisht janë edhe qëllimi i punës ose funksionimit të universitetit tonë. Ne si universitet, sot kemi hapur dyert për shumë industri, duke përfshirë që nga ata industri fondamentale, si industritë ushqimore, farmaceutike dhe industritë e tjera, të cilat ofrojnë shërbime për IT, shërbime për kurse, shërbime për trajnime, të cilat janë kryesisht nga kompani ose industri lokale dhe jo vetëm. Si universitet jemi të hapur për të gjithë sektorin e biznesit dhe njëkohësisht i inkurajojmë të gjitha kompanitë të drejtohen dhe orientohen te Universiteti i Tetovës, sa herë që kanë nevojë për resurse ose kapacitete, qofshin ato kapacitete humane ose të tjera profesionale”, nënvizoi përgjegjësi i Zyrës për Shkencë dhe Inovacion, Prof. Dr. Agon Memeti.

Në shenjë mirënjohje, Kryetari i Senatit, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti, bashkë me Prorektorin për Financa , Prof. Dr. Naser Raimi, përfaqësuesve të kompanive pjesëmarrëse në panair u ndanë mirënjohje.