Maqedoni

Në Serbi “Behteli” ka ndërtuar një km për 7 milionë euro, në Maqedoni një km 20 milionë euro

Në Serbi është hapur, pjesa e parë, e të ashtuquajturit Korridori i Moravës me gjatësi 16.8 kilometra. Autoritetet serbe, sic njofton KlanM, thonë se në autostradën e këtij Korridori do të ketë rrjet 4G dhe 5G kurse shpejtësia maksimale do të jetë 130 kilometra në orë.

Sipas Presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, nuk do të ketë punë shtesë ndërtimore rreth kësaj autostrade, pasi sipas tij, mbikqyrësit e kompanisë “Behtel&Enka” e kanë bërë punën siç duhet.

Ndërtimi I këtij Korridori në Serbi, është bërë temë e përplasjeve politike pozitë – opozitë, njofton KlanM.

Zv/Kryeministri I Parë, Artan Grubi, në Facebook kishte shkruar se me të njejtin ligj special, me kontratën e njejtë, kompania Bechtel – Enka po ndërton edhe në Serbi. Sipas Grubit, sic percjell KlanM, lajmet e rreme dhe bllokada e opozitës në Kuvend nuk e ndalojnë dot ndërtimin e Korridorit 8 dhe 10D, por vetëm e shtrenjton dhe e zgjat.

“Edhe tek ne u miratua ligji special nga Kuvendi, u negociua kontrata me po të njejtën kompani për ndërtimin e korridoreve 8 dhe 10-D dhe u nënshkrua, ndërsa tani më Qeveria ka paguar edhe 117 milion euro për paradhënie dhe mobilizim” – ka shkruar Grubi në Facebook.

I menjëhershëm ka qenë reagimi nga VMRO-DPMNE-ja, duke e akuzuar Grubin se po bëhet edhe fabrikë për lajme të rreme.

Deputeti i VMRO-DPMNE-së, Toni Jarevski, sic njofton KlanM, në Facebook, përmend disa arsye pse nuk është e njëjtë Marëveshja me Behtel dhe Enka që është nënshkruar në Serbi dhe në Maqedoninë e Veriut.

“Autostrada me gjatësi thuajse të njëjtë në Serbi kushton 750 milion euro, na Maqedoni 1.3 miliardë euro. Një kilometër në Serbi vlen 7 milionë euro, në Maqedoni 20 milionë. Mbikqyrjen në Serbi e kryen firmë profesionale, kurse në Maqedoni një firmë për veshje të brendshme me katër të punësuar”. – shkruan në Facebook, Toni Jarevski, Deputet VMRO-DPMNE-së.

Por, Zv/Kryeministri i Parë, Artan Grubi, nuk e la me kaq. Po, në Facebook, sic njofton KlanM, ai ka përmendur dy deklarata të liderit të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, të parën më 22 Prill kurse të dytën gjatë së shtunës, se shteti në emër të penaliteteve, kompanisë “Behtel dhe Enka” duhet t`i paguajë 53 milionë euro. Grubi sfidoi opozitën.

“Nëse deri me 6 maj nuk paguhen ato mjete të pretenduara nga opozita, të cilat me që ra fjala, duheshte të paguhen edhe me 22 prill sipas opozitës, atëherë, le ta largojnë bllokadën e ligjeve për ta lehtësuar dhe shpejtuar ndërtimin e autostradave” – shkruan Grubi në Facebook, duke I bërë thirrje VMRO-DPMNE-së të ndal lajmet e rreme dhe propagandën.