May 14, 2024
Maqedoni

Në Greqi sekuestrohet heroinë me vlerë 90 milionë euro, arrestohet një shqiptar dhe një turk

Më shumë se 23 kilogramë heroinë e importuar nga Turqia, u konfiskuan nga policia greke, ditën e djeshme, duke arrestuar dy persona.

Sipas EL.AS (policia greke) janë arrestuar dy persona, një shqiptar 43 vjeç dhe një shtetas turk 50 vjeç dhe thuhet se janë anëtarë të një rrjeti ndërkombëtar të trafikut të drogës.

Operacioni për arrestimin e tyre u krye në autostradën Selanik – Athinë, raportojnë mediet greke.

50-vjeçari transportonte me kamion ngarkesën ilegale të cilën e importoi përmes doganës ‘ Kipon’, në Evros.

Në parkingun e makinave, afër daljes në Veria, turku kishte lënë takim me shqiptarin 43-vjeçar, i cili mori nga turku dy çanta shpine që përmbanin pako me heroinë, me peshë totale 23 kg dhe 126 gramë.

Sipas vlerësimeve të EL.AS, sasia e madhe e produktit neto nënkupton që pas përzierjeve, ai do të katërfishohej, duke sjellë fitime mbi 90 milionë euro. Heroina duket se është menduar të tregtohet në tregun grek.

Të dy të arrestuarit janë dërguar në Prokurorinë kompetente për hetime të mëtejshme.