May 7, 2024
Maqedoni

Ndryshimet kushtetuese, VMRO dhe LSDM me lojëra fjalësh, BESA kërcënon

Një javë pas mbledhjes së kryesisë, LSDM ende nuk ka qëndrim se cilin nga dy propozimet e VMRO-DPMNE-së e pranon, ka deklaruar deputetja e VMRO-DPMNE-së, Bllagica Lasovska. Ajo thotë se ka kaluar një javë dhe fluska e LSDM-së që VMRO-DPMNE pranoi amendamentet kushtetuese nën diktatin bullgar ka skaduar dhe pamendimi i qiramarrësve të BDI-së duket qartë. Sipas saj në vend që të njohin mundësinë dhe dorën e shtrirë nga VMRO-DPMNE, ata sillen jashtëzakonisht në mënyrë të pahijshme në momente kyçe për shtetin.

BLLAGICA LASOVSKA DEPUTETE E VMRO-DPMNE-SË

“LSDM dhe Kovaçevski duhet të përgjigjen se cilin nga dy propozimet e VMRO-DPMNE-së e pranojnë. E para, që nënkupton qeveri kalimtare pa BDI-në dhe aplikim të vonuar të amendamenteve kushtetuese ose e dyta, që nënkupton zgjedhje të shpejta, dhe më pas kërkesë për garanci nga Bashkimi Evropian, mbështetje financiare për shtetin dhe kërkesë që Bullgaria të zbatojë më së paku 3 aktgjykime të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, për të drejtat e shtetasve të Maqedonisë së Veriut”.

Mile Talevski nga LSDM, deklaroi se si deputetë e mirëpresin faktin që Hristijan Mickoski ka ndryshuar qëndrim dhe nuk është më kundër ndryshimeve kushtetuese. Është për t’u përshëndetur edhe ndryshimi i qëndrimit për legjitimitetin e kësaj përbërje parlamentare, theksoi ai.

MILE TALEVSKI, DEPUTET I LSDM-SË

“Është mirë që në mbledhjen e kryesisë u hodh një hap dhe u arrit një pikë e caktuar, tani duhet të vazhdohet dialogu se si të kryhen sa më shpejtë ndryshimet kushtetuese. Ne inkurajojmë Mickoskin që t’i përmbahet pikëpamjeve të tij të ndryshuara dhe të formojë ekipe sa më shpejtë të jetë e mundur. Nëse ka një vullnet të sinqertë, nuk ka nevojë të presësh. Të vazhdojmë të punojmë së bashku për ndryshimet kushtetuese, për të arritur interesat shtetërore dhe kombëtare”.

Ndërkaq Bilall Kasami, kryetar i Lëvizjes Besa ka deklaruar se nëse Qeveria bën inat me Lëvizjen Besa dhe nuk e fut në procedurë zëvendësimn e 20%, atëherë ata nuk e kanë obligim të përkrahin propozimin e Qeverisë për ndryshimet kushtetuese. Ai i bëri thirrje qeverisë të dërgojë në Kuvend edhe propozimin e partisë së tij dhe të Grupit të Zjarrit që pjesë e ndryshimeve kushtetuese të bëhet edhe heqja e “20%-shit”, që i referohet gjuhës shqipe në Kushtetutë.

BILALL KASAMI, KRYETAR I LËVIZJES BESA

“Duke pasur parasysh faktin që edhe për ndryshimet kushtetuese, Qeveria nuk ka garanci që i ka siguruar 80 mandate, që të dorëzojë propozimin në Kuvend, ne kërkojmë po të njëjtën qasje të kësaj Qeverie edhe për 20 përqindëshin. Qeveria të dërgojë edhe propozimin tonë dhe të disa deputetëve të tjerë, në këtë rast edhe të Grupit të Zjarrit në Parlament dhe këtu ne si Lëvizje Besa garantojmë se do të përkrahim ndryshimet kushtetuese”.

Një javë pas takimit të lidershipit që u zhvillua ndërmjet kryeministrit Dimitar Kovaçevski dhe kreut të VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoskit qeveria dhe opozita akoma nuk kanë arritur të pajtohen për hapat e mëtejshëm.