Ndryshimet kushtetuese, Kovaçevski as “për” e as “kundër” propozimit kroat
Kryeministri Dimitar Kovaçevski nuk është as “pro” dhe as “kundër” modelit kroat për ndryshimin e Kushtetutës, të propozuar nga VMRO-DPMNE. Sipas Kovaçevskit, është e nevojshme të diskutohet dhe të gjendet, siç tha ai, një model maqedonas që përputhet me ligjet e vendit. Ai shtoi se është obligim i të gjitha partive politike që të mbështesin vendimet strategjike për vendin dhe se ndryshimet kushtetuese nuk duhet të përdoren për qëllime të politikës ditore.
“Ju thatë model kroat, doli një parti tjetër politike dhe tha për një model zviceran, një e tretë doli për një model belg… Prandaj është e nevojshme të ulemi në nivel ekspertësh, të bëhet një propozim që i përgjigjet shoqërisë maqedonase dhe që i përgjigjet ligjeve tona”, deklaroi Dimitar Kovaçevski – Kryeministër.
Kovaçevski ndau mendimin e tij në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin kroat Andrej Plenkoviq, i cili ishte për vizitë në vend. Plenkoviq kërkoi konsensus ndërpartiak për një hap strategjik, me të cilin Maqedonia mund të bëhet anëtare e BE-së brenda disa viteve. Ai nuk u përgjigj nëse e favorizon të ashtuquajturin Model kroat për Kushtetutën e vendit.
“Sa i përket modelit, pavarësisht se këtu përmendet modeli kroat, do të përsëris që partitë politike në Maqedoni dhe institucionet të gjejnë një model për ndryshimet kushtetuese që është zgjidhja më e mirë dhe që është e aplikueshme dhe specifike këtu për Maqedoninë e Veriut”, deklaroi Andrej Plenkoviq – Kryeministër i Kroacisë.
Plenkoviq tha se Maqedonia në mënyrë të pajustifikueshme është penguar në rrugën e integrimeve evropiane dhe tani duhet të shfrytëzohet momenti për përshpejtimin e dinamikës drejt anëtarësimit në Union. Ai theksoi se mbështet idenë që pakica kroate të bëhet pjesë e Kushtetutës së bashku me komunitetet e tjera. /Alsat.mk