May 14, 2024
Kolumna

Me ndryshimet kushtetuese të jetësohet Ilirida!

Shkruan: Etem Xheladini, Kumanovë

Tridhjet e një vjet nga ndarja me sistemin njëpartiak dhe mëvetësimit të Maqedonisë së Veriut, të drejtat kombëtare të shqiptarëve ende janë shumë larg realitetit dhe nevojave. Gjatë kësaj periudhe, organizimi i shqiptareve kaloi nëpër mbi 20 subjekte të partive të ndryshme politike shqiptare, që paraqiteshin në skenën tonë politike me programe thuajse të njëjta.
Por nëse sot ndalemi për t’i rishqyrtuar gabimet, shanset e lëshuara, mosrealizimin e Marrëveshjes së Ohrit, patjetër na duhet të kërkojmë opsione të tjera më të qëndrueshme. Duke u bazuar në atë që thuhet se pavarësia është kategori relative në një botë ku të gjithë janë të varur nga bashkëpunimi, lidhshmëria1, integrimi dhe globalizimi i pandalshëm, i vetmi opsion mbetet që të jetësohet Republika e Iliridës për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut. Me jetësimin e Republikës së Iliridës, shqiptaret do të marrin fatin e vet në duart e tyre, ku do të kenë institucionet e veta, dhe më nuk do të jenë gjithmonë fajtor kujdestar politikanët maqedonas e politika maqedonase, për dështimet e tona.
Mendoj kështu se zgjidhja e vetme si alternativë që nuk parasheh dhunë, përdorim të forcës – për t’i shfaqur idetë dhe propozimet, është qëndrim i një popullate të tërë shqiptare qe jeton në Maqedonin e Veriut, të dëshmuar me votën e saj në Referendumin e vitit 1992, ku qind për qind votuan për Republikën e Iliridës, dhe edhe sot po të ketë një referendum të tillë, shqiptarët me shumicë do ta riarsyetonin atë vendim. Përndryshe, në rrethana në këtilla, duhet të ulen liderët e partive politike shqiptare e të bisedojnë seriozisht për realizimin e vullnetit të popullatës shumicë shqiptare që jeton ne Maqedonin e Veriut pasi asnjë parti politike deri tani në koalicion me partitë maqedonase si partner, nuk arriti t’i realizojë kërkesat e popullit shqiptar, pos që u shndërruan në marioneta të shfrytëzuar nga pushteti. Të gjitha format dhe modelet duhet t’i rregullojnë ekspertët, me qëllim që të ndihmojnë në aspektin e avancimit të pozicionit të shqiptarëve. Për këtë na nevojitet një dialog i mirëfilltë, ku duhet të bisedohet shtruar edhe me palën maqedonase. Me këtë duhet te kuptojmë se politika e mirëfilltë e ka fjalën e parë dhe të fundit.
Tani mund të konstatojmë, se pavarësia e Maqedonisë së Veriut, me shkatërrimin e shtetit jugosllav, pa dyshim se ishte një fitore e madhe. Por, qëllimet strategjike që u vendosën atëherë për integrimet euro-atlantike, deri më sot ende nuk janë plotësuar. Përparimi i Maqedonisë së veriut sot varet nga zgjidhja e dy problemeve, njëri është rregullimi i statutit të dy etniteteve më të më mëdha, shqiptar e maqedonas, dhe tjetri i demokracisë të mirëfilltë, ku të gjithë qytetarët do t’i gëzojnë të drejtat e barabarta.

Duhen reforma të thella për dalje nga kjo krizë e gjatë 31 vjeçare, pasi ishte periudhë e mjaftueshme për cilindo vend, po edhe për ne, që të zgjidhet statusi i popullit shqiptar në Maqedonin e Veriut që ta trasojë rrugën e zhvillimit dhe të sigurojë vend respektabil në Unionin Evropian dhe në NATO. Por, tani na është e qartë se maqedonasit këtë nuk e dëshirojnë, kurse subjektet politike maqedonase gjatë këtyre viteve u treguan të njëjta, kur është në pyetje avancimi i interesave të popullit shqiptar, por vetëm se uniformat partiake i kanë të ndryshme.
Pra, për të mbijetuar Maqedonia e Veriut duhet të jetësohet Republika e Iliridës, që ishte akt sublim, me të cilin shprehën pikëpamjet politike shqiptarët asaj kohe, që sot në këtë kohë shumë të vështirë, mund të na shërbej si kapital që Maqedonia e Veriut të jetë shtet federativ, ku dy etnitetet më të mëdha, shqiptarë e maqedonas, do te kujdesen për fatin e saj si dy njësi federale me të drejta të barabarta dhe institucionet e tyre respektive.

05.04.2023