Ndryshimet eventuale në Qeveri, ky është qëndrimi i Aleancës për Shqiptarët
“Për Aleancën për Shqiptarët nuk janë të rëndësishme emrat e partive që janë në Qeveri, por vizioni i tyre”.
Kështu thonë nga ASH, në një prononcim për Telegrafi Maqedoni, në lidhje me ndryshimet eventuale për të cilat u raportua, pas takimit të sotëm në mes kryeministrit Dimitar Kovaçevski me kryetarin e VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.
“Për ne emrat e partive që formojnë qeverinë nuk ka qënë kurrë të rëndësishëm. Kryesorja është vizioni i këtyre partive. Fati i vendit nuk është çështje tifozerie, është çështje pune”, thonë nga ASH.
Ndryshe, Mickoski në takimin e sotëm Kovaçevskit i ka propozuar Qeveri gjithëpërfshirëse, në të cilën nuk do të jetë pjesë BDI, në mënyrë që të mbështesin ndryshimet kushtetuese.
Ndërkohë, nga BDI thanë se janë të gatshëm që ta lëshojnë Qeverinë, me kusht që opozita maqedonase të mbështesë ndryshimet kushtetuese. Nga BDI thanë se më e rëndësishme për momentin është “e ardhmja evropiane e vendit”.