Maqedoni

Ndërtimi i stacionit policor në Zubin Potok: Listës Serbe i vjen “zheg”

Kjo parti thekson se ky vendim së bashku me atë për “konfiskimin e paligjshëm” sipas tyre të tokës, është shembull i presionit të Qeverisë Kurti, transmeton lajmi.net.

“Njoftimi për ndërtimin e një stacioni policor pranë shkollës fillore dhe kopshtit në Zubin Potok, së bashku me konfiskimin e paligjshëm të tokës nga institucionet arsimore, për akomodimin e policisë njëkombëtare të Kurtit që populli serb nuk do ta përjetojë si pjesë e komunitetit, ka shkaktuar pakënaqësi te qytetarët në veri të Kosovës, e veçanërisht në komunën e Zubin Potokut dhe është shembull i presionit institucional të Prishtinës ndaj popullit serb”, thuhet në reagim.

Tutje në reagim thuhet se ky vendim synon të krijojë tensione shtesë dhe përshkallëzim të situatës në veri të Kosovës, duke injoruar kështu thirrjet e bashkësisë ndërkombëtare për deeskalim dhe zbatimin e marrëveshjes për formimin e Bashkësisë së Komunave Serbe.

“I bëjmë thirrje përfaqësuesve ndërkombëtarë që ta frenojnë Kurtin dhe të parandalojnë përshkallëzimin e situatës në terren dhe vazhdimin e militarizimit të komunave tona. Veriu i Kosovës me ndërtimin e bazave parapolicore nga Prishtina, gjithnjë e më shumë i ngjan burgut të hapur apo Koresë së Veriut, sesa fshatrave dhe qyteteve evropiane. Presioni institucional që Kurti po ushtron ndaj qytetarëve tanë, madje edhe ndaj fëmijëve është përtej çdo mase dhe ata duhet të veprojnë urgjentisht. Kërkojmë gjithashtu reagimin e EULEX-it dhe KFOR-it, të cilët janë përgjegjës për sigurinë e të gjithë qytetarëve, por besojmë të vetëdijshëm se kjo lëvizje nuk është një hap në drejtimin e duhur në kuptimin e deeskalimit të situates”, thuhet në reagim. /lajmi.net/