DiasporaMaqedoni

Ndërroi jetë Xhafer Pilku, veprimtari i palodhshëm dibran në Amerikë

Familja dibrane Pilku vazhdoi e vazhdon tia japë kombit njerëz me kulturë, me dinjitet e profesionalizëm në shumë fusha. Një prej tyre ka qenë dhe humanisti e veprimtari Xhafer Pilku, vëlla i veprimtarit të njohur dibran Ylber Pilku. Zemra e Xhafer Pilkut ndaloi së rrahuri dje, 12 shtator 2023, por kontrobuti dhe veprat e tij për çështjen kombëtare do vazhdojnë të jetojnë edhe gjatë kohë.

Xhafer Pilku ndërroi jetë në moshë 68 vjeçare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i rrethuar nga familjarët, miqtë e dashamirët. Shkoi në amshim me mallin e vazhdueshëm për Dibrën, por edhe me krenarinë që dha kontribut maksimal për kombin e vendlindjen.

U lind në Dibër të Madhe, në vitin 1955. Ai u lind, u rrit dhe u edukua në gjirin e një familje me tradita e vlera të mëdha, kurse presioni i regjimit e detyroi të marë rrugën e mërgimit.

Pilket janë një fis i nderuar e i respektuar në Dibër e jashtë saj për veprimtari atdhetare e patriotike. Këtë veprimtari patriotike, të parët, e nisën gjashtë vëllezërit: Mehmet, Mahmut, Sadik, Ramiz, Nazif dhe Sali Pilku, të cilët ishin delegatë në Kongresin e Manastirit, në atë kongres që vendosi fatet e mëtejshme të gjuhës sonë të bukur e të ëmbël shqipe. Që të gjashtë vëllezërit dhe djemtë e tyre janë shquar si intelektualë të kohës dhe si burra që kanë kryer funksione të larta shtetërore, deri në rang ministri e deputeti, si Mehmet Pilku. Një fotografi të tyre, të atyre viteve, por të zmadhuar, Ylberi e mban në një vend të dukshëm në zyrën e tij, ashtu si ka vënë në një kornizë të bukur edhe fotografinë e babait, Jasharit, e të nënës së tij.

Jashari është rritur jetim, sepse babai i tij i vdiq, kur ai ishte vetëm 5 vjeç. Edhe babai i tij qe një zogist i vendosur. Si i tillë, ai, për shumë vite punoi në radhët e xhandarmërisë shqiptare dhe kontribuoi për vendosjen e rendit e të qetësisë në ato vite të hershme. Ndërsa, në kohën e Italisë, Jashari ka qenë magazinier në magazinat qendrore në Tiranë. Këtë mundësi ai e shfrytëzoi për të furnizuar qytetin e tij, Shehrin, dhe Dibrën, pa kursim e me çfarë i nevojitej. Edhe pesë vëllezërit e Xhaferit: Fatmiri (poashtu i ndjerë), Besniku, Asllani, Ylberi dhe Fitimi janë njerëz që nderohen e respektohen, kuqo që janë.