Naim Murseli tërhiqet nga dëshmia, mohon vrasjen e gruas

3 të arrestuarit për vrasjen e Liridona Ademajt dolën një ditë më parë në gjykatë, për t’u njohur me masën e sigurisë. Gjatë kësaj seance, bashkëshorti i së ndjerës Naim Murseli mësohet se u tërhoq nga deklarata fillestare, ku kishte pranuar se kishte qenë ai porositësi i vrasjes së 30-vjeçares. Në një lidhje direkte me gazetarin e Klan News, gazetari Vullnet Krasniqi tha se ky veprim vjen pasi 33-vjeçari kërkon të shmangë dënimin maksimal.

“Ajo që dihet deri më tani është që Naim Murseli e ka ndryshuar deklaratën, nga pranimi kur është arrestuar tashmë ai në gjykatë ka thënë që nuk ka marrë pjesë në organizimin e vrasjes. Ky është një hap i ri, që sipas të gjitha gjasave ka ardhur nga ideja që nëse prokuroria e akuzon atë vetëm për shtytje drejt vrasjes, ai nuk mund të dënohet aq shumë, me dënim maksimal, sikurse dënohet nëse e ka organizuar e porositur. Të gjitha faktet deri më tani tregojnë për një organizim të mirë”.

I pyetur nga gazetari Besar Jacaj se çfarë dihet në lidhje me procesin e divorcit mes çiftit, Krasniqi tha: “Procesi i divorcit me siguri nuk ka qenë. Ka qenë vetëm një herë një kërkesë në vitin 2019, me aq sa kemi pasur informacione, në Suedi, që ka dorëzuar një kërkesë për divorc. Por meqenëse ligji në Suedi jep 6 muaj kohë, nëse çifti nuk shkon përsëri për ta vazhduar kërkesën, autoritetet e marrin si një vendim që çifti është pajtuar. Kështu flitet edhe nga familja e viktimës dhe autorit të dyshuar”.

Liridona Ademaj, nënë e dy djemve të vegjël u vra mbrëmjen 29 Nëntorit në rrethinat e Prishtinës.

3 persona u vunë në pranga për ngjarjen e rëndë. Bashkëshorti i saj Naim Murseli, i cili akuzohet se e porositi vrasjen e gruas, ekzekutori Granit Plava dhe nipi i Murselit, Kreshnik Kokalla, i akuzuar si bashkëpunëtor në këtë krim. Për 3 të arrestuarit gjykata caktoi një ditë më parë 30 ditë paraburgim.

Ndërkohë gjatë ditës së sotme trupi i Liridona Ademajt u zhvarros dhe u transportua në fshatin e saj të lindjes, aty ku do të prehet përgjithmonë, me kërkesë të familjes së saj.