Maqedoni

Nafta lirohet në bursat botërore, shtrenjtohet sërish në Maqedoninë e Veriut!

Dollari u dobësua, çmimi i naftës ra

Çmimet e aksioneve aziatike u rritën pasi rritja ekonomike e Kinës pritet të përshpejtohet, por nuk ka eufori në tregje pasi bankat qendrore do të vazhdojnë të rrisin normat e interesit për shkak të inflacionit të lartë. Indeksi i MSCI i rajonit Azi-Paqësor, duke përjashtuar Japoninë, u rrit me 0.7 për qind rreth orës 19:00.

Ndërkohë, indeksi Nikkei i Japonisë fitoi 1.1 për qind, ndërsa aksionet në Hong Kong, Australi dhe Korenë e Jugut u rritën midis 0.1 dhe 0.9 për qind. Në Shangai, megjithatë, ato ranë me rreth 0.2 për qind. Rritja e indeksit vjen kryesisht si pasojë e përshpejtimit të rritjes së ekonomisë kineze, pas heqjes së masave kufizuese për koronavirusin, siç tregojnë të gjitha të dhënat më të fundit makroekonomike.

Autoritetet kineze kanë njoftuar se synojnë një rritje ekonomike prej 5 për qind këtë vit. Si rezultat, shumë analistë ngritën vlerësimet e tyre të rritjes. Kështu, për shembull, analistët e bankës zvicerane UBS rritën vlerësimin për rritjen e ekonomisë kineze nga 4.9 në 5.4 për qind.

Por frenimin e bursave e përfaqësojnë njoftimet e bankave qendrore për rritje të mëtejshme të normave të interesit. Të gjitha të dhënat e fundit tregojnë se inflacioni në SHBA mbetet në nivele të larta, çka do të thotë se banka qendrore e SHBA-së do të duhet të vazhdojë të rrisë normat e interesit.

Kështu, në tregun e parasë vlerësimet për normat e interesit të Fed janë rritur dhe tani pritet që deri në shtator ato të rriten në intervalin nga 5.50 deri në 5.75 për qind, ndërsa tani normat e interesit lëvizin ndërmjet 4.50 dhe 4. 75 për qind. Prandaj, këtë javë në fokus të investitorëve do të jetë raporti i kryetarit të Fed-it, Jerome Powell në Kongres për gjendjen e ekonomisë, si dhe të dhënat për punësimin në SHBA në shkurt.

Pritet edhe rritje e normave të interesit të Bankës Qendrore Evropiane. Presidentja e kësaj banke, Christine Lagarde, tha gjatë fundjavës se BQE-ja ka shumë të ngjarë të rrisë normat e interesit këtë muaj me një shtesë prej 0.50 pikë përqindjeje dhe se banka do të duhet të vazhdojë të punojë për të shtypur inflacionin.

Megjithatë, këtë javë, banka qendrore e Australisë pritet të rrisë normat e interesit me 0.25 pikë përqindjeje, ndërsa banka qendrore e Kanadasë ka të ngjarë të lërë të pandryshuara normat e interesit.

Dhe në tregjet valutore, vlera e dollarit ra në raport me shportën e valutave, pas rritjes së javës së kaluar prej 0.6 për qind. Indeksi i dollarit, i cili tregon vlerën e dollarit amerikan kundrejt gjashtë monedhave të tjera kryesore botërore, po luhatet rreth 104.45 pikë, ndërsa mbrëmjen e së premtes ishte 104.60 pikë.

Në të njëjtën kohë, kursi i këmbimit të dollarit ndaj monedhës japoneze ra nga 135.85 në 135.60 jen. Valuta amerikane u dobësua edhe kundrejt asaj evropiane, kështu që çmimi i euros arriti në 1.0645 dollarë, ndërsa mbrëmjen e së premtes ishte 1.0635 dollarë.

Çmimet e naftës ranë pasi u rritën me më shumë se 3 për qind javën e kaluar. Çmimi i fuçisë në tregun e Londrës mëngjesin e sotëm ka rënë me 0.64 për qind në 85.28 dollarë, ndërsa në tregun amerikan çmimi i fuçisë ka rënë me 0.65 për qind në 79.15 dollarë.

KRRE-ja vendosi: Nga mesnata shtrenjtohen derivatet e naftës

Komisioni Rregullator për Energjetikë (KRRE) solli vendimin, me të cilin bëhet rritja e çmimeve të shitjes me pakicë të derivateve të naftës, mesatarisht 1,22% në raport me vendimin e datës 3.3.2023.

Çmimet e shitjes me pakicë të benzinës EUROSUPER BS-95 dhe EUROSUPER BS-98 dhe të Vajit Ekstra të Lehtë për Amvisëri (ЕL-1) rriten për 1,00 denarë/litër, ndërsa çmimi i shitjes me pakicë i EURODIZELIT (D-Е V) rritet për 0,50 den/l.

Çmimi i shitjes me pakicë i Мazutit М-1 SU rritet për 0,722 den/kg dhe do të jetë 41,988 den/kg.

Nga data 7.3.2023, ora 00:01 çmimet maksimale të derivateve të naftës do të jenë:

EUROSUPER BS – 95 82,50 (denarë/litër)
EUROSUPER BS – 98 84,50 (denarë/litër)
EURODIZEL BS (D-E V) 78,50 (denarë/litër)

Vaj për Djegie Ekstra i Lehtë 1 (EL-1) 78,00 (denarë/litër)
Mazut М-1 SU 41,988 (denarë/kilogram)