May 3, 2024
Kolumna

Nacionalizmi shqiptar nuk fyen askënd, është faktor stabilizues në Ballkan!

Prof. Dr. Nijazi Halili
Ndaj në këtë sens nacionalizmi shqiptar nuk fyen askënd, nuk është i rrezikshëm për fqinjët pasi nuk i kërcënon ata me programe shpërngulje dhe është faktor stabilizues në Ballkan.

Në të kundërt, kërcënimet që shqiptarët hasin nga fqinjët e vet Serbia dhe Greqia vazhdojnë të reflektojnë emocionet dhe ethet e platformave nacionaliste të shekullit të kaluar, mbi bazën e të cilave u caktuan kufijtë e Ballkanit.

Normalisht që nuk do të kishte asnjë gjë të keqe nëse këto platforma do përmbanin në vetvete vetëm sensin e mirë të formimit të shteteve-komb brenda kufijve të vërtetë të tyre, por kur kujton luftërat ballkanike, Luftën e Parë Botërore, spastrimet etnike dhe vrasjet në masë për të realizuar ëndrrat e tyre të zgjerimit në kurriz të kombeve të tjerë, çdo politikan në Bruksel dhe Uashington rrëqethet.

Ndaj shpesh herë ka dhe një qortim dhe thirrje për vetëpërmbajtje, drejtuar kryesisht ndaj shqiptarëve, pasi besojnë se nëse shqiptarët përfshihen nga nacionalizmi do shkatërrojnë stabilitetin e Ballkanit.

As më shumë as më pak se çka thënë Grey një shekull më parë se vendimet e mbrapshta ndaj Shqipërisë u morën për të shpëtuar paqen dhe stabilitetin. Mirëpo një analist i thjeshtë i Ballkanit, kur lexon se çka shkruar Sami Frashëri në 1899 realizon se që nga ajo kohë, duket se nuk kanë ndryshuar shumë gjëra. Shqiptarët sërish përballen me serbët për shkëmbime dhe ndarje territoresh në Kosovë.