Musk thotë se Starlink do të ofrojë shërbime për “organizatat e njohura ndërkombëtare të ndihmës në Gaza”
Elon Musk njofton se sistemi i tij i komunikimit me bazë satelitore Starlink “do të mbështesë lidhjen me organizatat e njohura ndërkombëtare të ndihmës në Gaza”.
Musk e bën njoftimin në X, platforma e njohur më parë si Twitter, në përgjigje të një deklarate të përfaqësueses së Shteteve të Bashkuara, Alexandria Ocasio-Cortez se ndërprerja e komunikimeve në Gaza ishte “e papranueshme”.
Grupet e ndihmës thonë se nuk janë në gjendje të komunikojnë me ekipet e tyre në Rripin e Gazës pasi shërbimet telefonike dhe të internetit u shkatërruan gjatë bombardimeve intensive izraelite që mbështesin intensifikimin e operacionit tokësor.
Starlink, i operuar nga kompania SpaceX në pronësi të Musk, është vendosur gjithashtu në Ukrainë menjëherë pasi vendi u përball me një agresion nga Rusia në shkurt të vitit 2022.
Siç ishte raportuar më herët, Gaza po i afrohet një ndërprerjeje pothuajse totale të internetit pasi rajoni pësoi humbjen më të madhe në komunikim sot që nga fillimi i luftimeve më 7 tetor.
Operatori i fundit i madh i internetit në rajon, Paltel, pësoi dëmtime në rrugët e tij ndërkombëtare, sipas NetBlocks, një firmë monitoruese e ndërprerjeve të internetit me qendër në Londër, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Si pasojë, shumë palestinezë po përjetojnë një humbje totale të qasjes në internet dhe aftësisë për të komunikuar në mënyrë elektronike, sipas të dhënave, ndërsa disa mund të kenë shumë pak lidhje.
Ndërsa Jawwal, një tjetër kompani palestineze e telekomit që ofron shërbime celulare për Rripin e Gazës, gjithashtu lëshoi një deklaratë të premten, duke thënë se “bombardimi intensiv në orën e kaluar ka rezultuar në shkatërrimin e të gjitha rrugëve ndërkombëtare të mbetura që lidhin Gazën me botën e jashtme” duke çuar në një “ndërprerje të plotë të shërbimeve të telekomunikacionit”.
Lidhjet me internetin ka të ngjarë të përkeqësohen pasi Forcat e Mbrojtjes të Izraelit njoftuan “për operacionet e tyre tokësore në zgjerim”.