Murtezani: Me presidentin Macron biseduam për realizimin e reformave dhe mbështetjen për zgjerimin që na nevojitet
Ministri për eurointegrime, Orhan Murtezani, ka qenë pjesë e delegacionit të udhëhequr nga kryeministri Hristijan Mickoski që realizoi takim në Budapest me presidentin francez Emanuel Macron.
“Në margjinat e Samitit të Komunitetit Politik Evropian (KPE), zhvilluam një takim dypalësh me Presidentin francez Makron. Të dyja palët konfirmuam angazhimin për realizimin e reformave dhe mbështetjen për zgjerimin që na nevojitet”, ka shkruar Murtezani pas takimit.
Paraprakisht për takimin ka folur edhe kryeministri Mickoski.
“ Diskutuam hapur për zhbllokimin e rrugës së Maqedonisë drejt Bashkimit Evropian. Unë jam optimist për të ardhmen tonë, ne luftojmë për argumentet tona dhe të vërtetën që është e pashmangshme.
Ne do të bëjmë çmos për të ruajtur interesat shtetërore dhe kombëtare”, ka thënë Mickoski pas takimit.