April 26, 2024
Kosovë

MPJ kosovare i jep leje Bërnabiqit për vizitë në Kosovë

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës i ka dhënë leje për vizitë kryeministres serbe, Ana Bërnabiq, që ta vizitojë Kosovën këtë të hënë.

Kështu ka bërë të ditur për Klankosova.tv, zëdhënësja e MPJ-së, Qëndresë Fazliu.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Qeverinë e Republikës së Kosovës, i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së kryeministres së Serbisë, Ana Bërnabiq që ta vizitojë Kosovën me datën 5 shtator 2022”, është shprehur Fazliu, njofton Klankosova.tv.

Tutje, ajo tha se dhënia e lejes për vizitë bazohet në marrëveshjen lidhur me vizitat e ndërsjellta të përfaqësuesve politikë mes Kosovës dhe Serbisë.

Ndërkaq nga Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë bënë të ditur se vizita e kryeministres serbe është paralajmëruar të enjten, më 1 shtator, 72 orë para vizitës dhe, siç theksohet, në përputhje me Marrëveshjen për Vizitat zyrtare.

“Vizita e kryeministres së Qeverisë së Republikës së Serbisë, Ana Bërnabiq në Kosovë ka për qëllim të përcjellë mesazhe për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit, në kuadër të të cilave është rruga e vetme për të arritur mbijetesën e serbëve në Kosovë”, thuhet në njoftimin e zyrës në fjalë.