KosovëMaqedoni

MPJ-ja e Kosovës jep detaje për aksidentin tragjik në Maqedoninë e Veriut

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka dhënë detaje rreth aksidentit tragjik që ka ndodhur të shtunën në Maqedoninë e Veriut, në aksin rrugor Bllacë-Shkup, ku një veturë me targa nga Kosova ka rënë në lumin Lepenc.

Në veturë gjendeshin katër anëtarë të një familje, njëri nga ta ka arritur që të dal nga vetura.

MPJD njofton se kërkimet për tre anëtarë e familjes po vazhdojnë, dhe se ende janë pa ndonjë epilog, për shkak të reshjeve të shumta të ditëve të kaluara.

“Krahas ekipeve të specializuara të Maqedonisë së Veriut, që në orët e hershme të mëngjesit pjesë e operacionit të kërkim-shpëtimit janë njësiti relevant nga FSK dhe ai nga Policia e Kosovës”, thuhet në njoftimin e kësaj ministrie.

“Në vendngjarje ka dalë ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, bashkë me ambasadorin e Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Florian Qehaja, të shoqëruar nga zëvendësministri i brendshëm i RMV Nazim Bushi”, thuhet në njoftim.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, përmes procedurave të përshpejtuara ka lehtësuar dhe koordinuar kalimin e njësiteve të specializuara të kërkim-shpëtimit nga Kosova për në territorin e RMV-së, pas kërkesës së autoriteteve maqedonase”.