Maqedoni

MPB: Vitin e kaluar 1082 raste të dhunës në familje

Dhuna në familje mbetet një nga problemet e theksuara të shoqërisë tonë. Më së shpeshti viktima të dhunës janë gratë, të cilat përballen me dhunë psiqike apo fizike, e cila ka edhe raste kur përfundon me fatalitet. Institucionet thonë se marrin masa ndaj dhunuesve, por shoqatat e grave insistojnë që shteti dhe shoqëria të bëjë më shumë në mbrojtje të grave.

Së fundmi, policia ka njoftuar se në shtëpinë familjare në një fshat të Shkupit, djali i moshës së mitur me sende të forta ka sulmuar fizikisht nënën e tij 42-vjeçare, vëllain e mitur dhe motrën 20-vjeçare. Po në këtë muaj, policia ka raportuar edhe për tre raste të dhunës në familje brenda një dite, edhe atë për një rast në Shtip, Gostivar dhe Shkup. Në të tre rastet viktima të dhunës kanë qenë gratë, të cilat janë sulmuar nga bashkëshortët e tyre. Toni Angellov nga MPB bën të ditur se vitin e kaluar në MPB janë paraqitur 1082 raste të dhunës në familje.

“Viktimat e këtyre rasteve, rreth 80% janë gra, ndërsa rreth 20% janë burra. Rreth 40% të rasteve kemi dhunë ndaj gruas, por kemi edhe dhunë ndaj grave jashtë martesore, ndaj nënës, babait dhe fëmijëve. Ne si MPB, së bashku me prokurorinë dhe gjykatat, ashtu si edhe isntitucionet tjera, në Minsitria e Punës dhe Politikës Sociale, qendrat për punë sociale, punojmë vazhdimisht për sanksionimin e dhunuesve.”, tha zëdhënës i MPB-së, Toni Angellovski për TVM2.

Ai njëherit i inkurajon viktimat e dhunës në familje që t’i paraqesin rastet, që dhunuesi të marrë dënimin e merituar.

Beadini: Mbrojtje institucionale për viktimat e dhunës

Për paraqitjen e rasteve apelojnë edhe nga sektori joqeveritar. Pas pandemisë është shënuar rritje e paraqitjes së dhunës ndaj grave, thotë aktivistja Rita Beadini. Sipas saj, kjo nuk nënkupton rritjen e dhunës, por rritjen e vetëdijes për t’i paraqitur rastet e dhunës në familje.

“Ajo çfarë ndodh në RMV është që shumë shpesh mungon besimi në institucione për shkak se institucionet janë dëshmuar shumë shpesh të paafta për t’i mbrojtur viktimat e dhunës, e sidomos gratë në këtë mes. Kemi rastes kur gratë paraqesin dhunë, por ju thuhet shko në shtëpi sepse ky është problem familjar, kjo nuk na përket ne, po t’i ke bërë diçka që ai ka ushtrua dhunë ndaj teje. Këto janë probleme shumë serioze dhe patjetër që kërkon një qasje serioze institucionale për zgjidhjen e problemit. Sado që OJQ-të të tentojnë të zgjidhin problemin pa ndihmën institucionale dhe shtetërore është gati e pamundur. Shumë shpesh viktimat e dhunës janë të varura ekonomikisht dhe nuk kanë ku të shkojnë nëse dalin nga rrethi i dhunës, andaj detyrohen shumë shpesh t’i kthehen dhunuesit.”, tha Rita Beadini nga OJQ “Mollë Kuqja”.

Psikologu Hamzai: Dhuna në familje shkaktohet nga jeta e shfrenuar

Ka raste kur bashkëshortët i drejtohen edhe psikologut për trajtim. Psikologu, Migjen Hamzai, thotë se dhuna në familje është shumë prezente, qoftë për shkak të problemeve brenda familjes, apo jetës së shfrenuar të partnerit.

“Është shumë prezente në ditët e sotme edhe dhuna fizike, po që e heshtim e heshtim, por është shumë prezente. Ka mostra që nuk rrinë në shtëpi tërë ditën. Po i quajmë mostra sepse tërë inatin që ka pasur nëpër kafe, nëpër kazino, e nxjerr aty. Shikoni pandeminë, supozohej të ishte mirë për çiftet sepse kishin kohë për njëri-tjetrin, aty ndodhën divorcet më të mëdha, sepse u njohën tamam me njëri-tjetrin. Tërë frustrimet që i kishin jashtë filluan t’i nxjerrin në shtëpi. Prezenca në shtëpi është shumë e rëndësishme. Por, kur themi prezenca, jo vetëm prezenca fizike, jo burri me një qosh, gruaja me një qosh tjetër, si ato mesazhet patetike që sot i dëgjojmë.”, tha psikologu Migjen Hamzai.

Me qëllim që të rritet mbrojtja e viktimave të dhunës në familje, Kodi Penal vitin e kaluara pësoi ndryshime, duke e përcaktuar femicidin si “një krim i veçantë”.