April 27, 2024
Maqedoni

Moment historik, kryeministri i parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut!

Emri i ri i shtet po sjellë shumë risi në Maqedoninë e Veriut, derisa sa ishte vetëm Maqedoni ka qenë vend i vështirësive të shumta e padrejtësive të tepruara për shqiptarët. E aq më pak të paramendohej e imagjinohej që një ditë në krye të Qeverisë mund të jetë një shqiptarë. Por, ndryshimi i emrit të shtetit ndryshoi gjithçka dhe kjo është shenjë që vendi po rrugëton drejt një shteti siç e ka edhe shoqërinë multietnike. Kryeministër i Maqedonisë së Veriut, nga 28 janari i vitit që vjen, do të emërohet, Talat Xhaferi, kryetari aktual i Kuvendit, ky ishte lajmi bombastik që vërshoi mediat në vend dhe rajon. Në fakt, ky lajm shënon edhe një moment historik pasi vendi në të cilin shqiptarët luftuan para 22 viteve për të drejta dhe barazi sot në krye të vendit po emërohet një shqiptar. Pra, nga lufta për gjuhë, drejtësi e barazi, universitete e punësime shqiptarët kanë arritur të sigurojnë pozitat më të larta udhëheqëse shtetërore, në këtë formë duke rrënuar barrierat etnike, shkruan Zhurnal.

Talat Xhaferi, kryeministri i parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut –

Kryeministër i Maqedonisë së Veriut, nga 28 janari i vitit 2024, do të emërohet, Talat Xhaferi, kryetari aktual i Kuvendit në këtë vend. Ky vendim u bë i ditur nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) të premten, pas mbledhjes së kryesisë qendrore të kësaj partie.

Nga BDI-ja thanë se me këtë do të realizohet premtimi i saj për kryeministrin e parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut. Talat Xhaferi do të udhëheqë qeverinë teknike, praktikë qysh prej vitit 2016, ndërsa ka për detyrë organizimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale.

Mbase shumëkush thotë që nuk ka rëndësi etnia e kryeministrit në Maqedoninë e Veriut kjo gjë nuk vlen, ka shumë rëndësi pasi bëhet një diskriminim etnik duke ndaluar së ëndërruari shqiptarët që një ditë mund të udhëheqin me shtetin. Pra, në Maqedoninë e Veriut deri para disa viteve ka qenë e ndaluar të ëndërrohet që një shqiptar mund të bëhet kryeministër. E kjo ndalesë po merr fund vitin që vjen.

Të pasurit një kryeministër shqiptar në qeverinë teknike është rrugë e hapur që në të ardhmen mund të ketë kryeministër edhe në qeveri politike. Ajo që duhet është unifikim i faktorit politik shqiptarë. Sepse, po rrëzohen tabutë që dikur nuk guxohej as të paramendohej një gjë e tillë. Shqiptarët në këtë vend kanë luftuar për gjuhën shqipe, për flamurin, për Universitet. Pra, për gjëra që janë të garantuara edhe me Kushtetutë, të drejta themelore e esenciale, këto luftëra shqiptarët i fituan jo sepse ishin shumë të fortë por pasi ishin të vendosur dhe kishin të drejtë.

Mickovskit po i pengon udhëheqja e institucioneve nga shqiptarët, është kundër edhe kryeministrit të parë shqiptar –

Opozita maqedonase, që drejtohet nga VMRO DPMNE-ja, e ka kundërshtuar caktimin e Talat Xhaferit, apo të cilitdo qoftë kuadri tjetër të BDI-së për këtë pozitë, pasi partinë e akuzon për përfshirje në krim të organizuar dhe korrupsion. Kjo parti kishte propozuar heqjen e Qeverisë teknike dhe që mandati i kryeministrit aktual të vazhdonte deri në mbajtjen e zgjedhjeve të reja. Me të vetmin qëllim që në krye të vendit mos të ketë një kryeministër shqiptar. Por, dështuan në kërkesat e tyre dhe kryeministri i parë shqiptar po vjen në fundin e muajit të parë të vitit 2024.

VMRO-DPMNE opozitare pritet, gjithashtu, të përfaqësohet në Qeverinë teknike me ministra të Punëve të Brendshme dhe Punës e Politikës Sociale, si dhe me tre zëvendësministra për Financa, për Bujqësi dhe për Shoqëri Informative dhe Administratë. Nuk dihet ende se cilët do të jenë kuadrot e partisë opozitare në qeverinë e re, atë teknike.

Kujtojmë që, Mickovski duke iu referuar ndikimit të Bashkimit Demokratik për Integrim, lidhur me vendimin për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare tha se kjo nuk varet nga askush tjetër përveç marrëveshjes së tij me kryeministrin Dimitar Kovaçevski. Ndërkaq, Kovaçevski nuk mund të ishte kryeministër pa miratimin e BDI-së.

Mes tjerash ai thotë që e ardhmja e vendit duhet vetëm ta ndërrojë selinë nga BDI-ja të varet prej VMRO-së, harron që qytetarët janë ata që e kanë të ardhmen e vendit në dorë. Qytetarët të bëjnë kryeministër qytetarët të bëjnë azilant. Por, e ardhmja e vendit krijohet në Kuvend, as në Reçicë sipas Mickovskit e as në seli të VMRO-së, Kuvendi është vendi në themelet e të cilit është Kushtetuta e vendit. Nuk mund të jesh mbi Kuvend nëse nuk shkel mbi Kushtetutë, e nëse e shkel Kushtetutën përfundimi i secilit mund të jetë në burgjet e vendit ose azilet e Hungarisë.

Kujtojmë që, zgjedhjet parlamentare të vitit të ardhshëm, sipas marrëveshjes së partive politike, të arritur më 4 dhjetor, do të mbahen më 8 maj. Të njëjtën ditë do të votohet edhe për raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, pasi raundi i parë do të mbahet më 24 prill. Ndërkaq, Qeveria teknike 100-ditëshe, para zgjedhjeve parlamentare, ishte një marrëveshje mes partive, pas rënies nga pushteti të Nikolla Gruevskit, i cili akuzohej për keqpërdorime të shumta zgjedhore në të kaluarën. Por, që në krye të qeverisë teknike të ketë një shqiptar, kishte edhe një marrëveshje të tjetër, të arritur më 18 gusht 2020, mes ish-kryeministrit Zoran Zaev dhe kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti.