May 3, 2024
Diaspora

Mirsad Musliu, avokat në Austri nga Çegrani i Gostivarit: Dy herë e kam mbrojtur Republikën e Kosovës në Vjenë

Në një intervistë për albinfo.at, avokati Mirsad Musliu tregon për migrimin e tij në Austri, shkollimin dhe punën profesionale që ai e bën si avokat në Vjenë. Po ashtu, ai tregon se si e ka mbrojtur, në dy raste në Vjenë, Republikën e Kosovës

Mirsad Musliu është avokat i njohur, jo vetëm nga komuniteti shqiptar por në gjithë Austrinë. Ai është nga fshati Çegran i komunës së Gostivarit. Shkollën fillore deri në klasë të pestë e ka përfunduar në vendlindje. Në vitin 1994 iu bashkohet prindërve të tij, në Grac të Austrisë. Aty, ai përfundon gjimnazin dhe fakultetin Juridik në “Karl Franzens Universitet”. Pas praktikave në gjykata të ndryshme në Grac e rrethinë, z.Musliu në vitin 2010 punësohet në Ministrinë e Brendshme, në Vjenë. Dy vite më vonë, në shkurt të vitit 2012, Mirsad Musliu, fillon të punojë në zyrën juridike të avokatit Mag.Nikolaus Rast, me të cilën tashme janë partner në zyrën e tyre “Rast&Musliu Rechtsanwälte”, në Vjenë.

Avokati Musliu dhe zyra e tij merret me lëndë të ndryshme, duke filluar nga krimet e rënda deri tek lëndët për të drejtat e të huajve si: rregullimi i nënshtetësisë, rregullimi i lejeve të qëndrimit në Austri, heqja e ndalimit në Austri, e drejta e migrimit, e drejta familjare, etj.

Albinfo.at: Keni ardhur në Austri në vitin1994, në atë kohë si fëmijë. Pse fillimisht u vendosët në Graz?

Mirsad Musliu: Në vitet `90 prindërit e mi migruan për në Grac të Austrisë. Unë qëndrova me gjyshërit e mi në Cegran. Aty mbarova klasën e pestë. Në gusht të vitit 1994 iu bashkëngjita prindërve të mi në Grac. Babai im ishte kuzhinier, ndërsa nëna, punëtore në një pastrim kimik.

Albinfo.at: Si e kujtoni atë kohë të fëmijërisë, adaptimin dhe integrimin në një vend të ri dhe shoqëri të re?

Mirsad Musliu: Më kujtohet si sot dhe kurrë nuk do e harroj, kur fillova shkollimin në Grac. Nuk e njihja gjuhën gjermane fare. Thuajse çdo ditë pas mësimit të rregullt, më duhej të ndiqja kurse shtesë për të mësuar gjuhën gjermane. Megjithatë, pasi që kisha njohuri të gjuhës serbo-kroate dhe kisha bashkënxënës në klasë nga ish-Jugosllavia, ata përpiqeshin të më përkthenin dhe të më ndihmonin që të kuptoj mësimet apo detyrat e shtëpisë. Të vijoj mësimet në gjermanisht, në atë kohë më dukej një gjë e pamundur, por, me vullnet të fortë dhe disiplinë arrihet çdo gjë.

Albinfo.at: Pse vendosët për të vazhduar shkollimin për juridik? Të orientoi ndokush apo ishte vetë dëshira juaj?

Mirsad Musliu: Ëndrra ime ka qenë të studioj mjekësinë. Më vonë, dëshiroja të bëhem pilot. Asnjëherë nuk e kam menduar se do të bëhem avokat. Kur mbarova gjimnazin në Grac, akoma nuk kisha vendosur se çfarë do të studioj, por isha i vendosur për të studiuar. Fillova studimet në Juridik, se është një lëmi që të jep shumë mundësi punësimi si në: politikë, administratë ose organe tjera shtetërore.

Albinfo.at: Në cilin vit u shpërngulët për në Vjenë dhe cila ishte arsyeja?

Mirsad Musliu: Pas kryerjes së praktikës nëpër gjykatat e ndryshme të Gracit dhe rrethinës, u hap konkurs pune në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Austrisë, në Vjenë. Pasi e gjithë familja ime, prindërit, vëllai, xhaxhallarët, jetonin në Grac, ishte një hap i vështirë të shpërngulem për të jetuar në Vjenë. Meqë ishte një vend i mirë punësimi, kandidova dhe u pranova në Ministrinë e Punëve të Brendshme në Vjenë, në sektorin e të drejtave për të huaj. Në shkurt të vitit 2010, nisa punën në ministri, si jurist. Ne atë kohë, isha i martuar dhe baba i një çuni 1,5 vjeçar.

Albinfo.at: Thonë se studimet për juridik dhe pastaj shkollimet shtesë të avokatisë në Vjenë kërkojnë shumë angazhim, punë dhe disipline. Ishte e vështirë për ju?

Mirsad Musliu: Është fakt që studimet e fakultetit Juridik në Austri nuk janë edhe aq të lehta. Në dy vitet e para bëhet një seleksionim, ku mbi 65% te studentëve dorëzohen dhe ndërrojnë drejtimin. Edhe pse thuhet se juridiku është një lëmi e thatë, unë nuk mund të konfirmoj këtë. Juridiku ka shumë të bëjë më logjikën, sistemin e të menduarit, po ashtu edhe me fantazinë e studentit. Padyshim se do të derdhësh djersë të ngrohta dhe të ftohta gjate studimeve në këtë fakultet. Një sfidë ende më e madhe është provimi i avokatisë. Në këtë provim, i ke 3 provime me shkrim prej 8 orësh, dhe provimin gojarisht para komisionit, që zgjat 4 orë. Komisioni përbëhet prej 2 gjykatësve supremë të Austrisë dhe 2 avokatëve, të cilët katër orë të plota të pyesin për çdo segment të juridikes. Ky provim kërkon përgatitje prej katër muajsh nëse çdo ditë mëson nga 12-14 orë.

Albinfo.at: Para se të bëhesh avokat në Austri, a je ndier ndonjëherë i pambrojtur ligjërisht, a mendon se të është bërë ndonjëherë e padrejtë dhe, a ke pasur nevojë ndonjëherë për një avokat apo për një përfaqësues ligjor?

Mirsad Muslu: Edhe pse nuk kam pasur raste private serioze, asnjëherë nuk jam ndier se më është bërë padrejtësi nëpër institucione ose gjykata. Si adoleshent kam pasur procedura juridike, më së shumti administrative kur ndoshta kam pasur nevojë për avokat. Por, mendoj se në kohën që po jetojmë sistemi juridik është bërë më i ndërlikuar, veçanërisht për disa raste për të cilat para 10 vjetëve ndoshta nuk ke pasur nevojë, ndërsa sot të duhet patjetër.

Dy avokatët – Nikolaus Rast & Mirsad Musliu “Rast & Musliu”
Albinfo.at: Tani ju keni edhe zyrën tuaj “Rast & Musliu”, të përbashkët me një avokat tjetër austriak. Prej sa vitesh ushtroni profesionin e avokatisë dhe sa punonjës ka stafi juaj?

Mirsad Musliu: Profesionin e avokatisë e ushtroj prej 1 shkurtit të vitit 2012. Pas largimit nga Ministria e Punëve të Brendshme, kandidova te zyra Juridike, Mag. Nikolaus Rast, i cili sot është partneri im në zyrën tonë “Rast&Musliu Rechtsanëälte”, e cila gjendet në Alser Straße 23/14, 1080 Wien.

Zyra jonë përbëhet nga dhjetë persona: Dy partnerë, Mag. Nikolaus Rast dhe unë, tre avokatë të tjerë të që punojnë si nëpunës, një student i juridikut dhe katër sekretare.

Albinfo.at: Me cilat lëndë konkretisht merret zyra juaj?

Mirsad Musliu: Zyra jonë është e njohur në tërë Austrinë, sidomos në Vjenë, si adresë për lëndët e krimeve të rënda penale. Megjithatë, vetëm 50% të lëndëve, janë lëndë penale, 30% janë lëndë për të drejtat e të huajve si: rregullimi i nënshtetësisë, rregullimi i lejeve të qëndrimit në Austri, heqja e ndalimit në përgjithësi, e drejta e migrimit, dhe 20% e lëndëve civile të përgjithshme, sidomos e drejta familjare (divorcime, etj).

Albinfo.at: Emri juaj tashmë është bërë i njohur në Austri dhe më gjerë. Ju shohim thuajse çdo ditë nëpër media austriake kur bëhet fjalë për seanca të ndryshme. Çfarë ju bën kaq të suksesshëm?

Mirsad Musliu: Të jesh i suksesshëm mes 2000 avokatëve në Vjenë, në një metropol evropian, duhet të luajnë rol disa faktorë. Mendoj se është një kombinim në mes të punës dhe fatit. Nëse them unë se jam më i mençur se të tjerët, kjo do të ishte joprofesionale dhe jokorrekte. Fati im ndoshta ka qenë, sepse unë kam pasur “mentorin” e mirë, (pra ish-punëdhënësin tim e tash partner i imi), i cili është “korifee” (v.j. ekspert, specialist në fushën e tij) në Austri dhe më gjerë në të drejtën penale. Kam mësuar shumë prej tij në të drejtën penale dhe kam pasur mundësi të lidh kontakte të shumta. Sa i përket të drejtës për të huaj, mora përvojë të mirë gjatë kohës sa punoja në Ministrin e Punëve të Brendshme. Megjithatë, kjo nuk të bën të suksesshëm, nëse nuk shpenzon mund dhe energji maksimale. Një faktor tjetër është edhe korrektësia dhe transparenca ndaj klientëve. Një kirurg i mirë nuk bëhet i suksesshëm në sallën e fakultetit, por në sallën e operimit.

Albinfo.at: Jeni adresa kryesore edhe e komunitetit shqiptar për mbrojtje në çështjet e tyre. Me çfarë raste ballafaqohen më së shumti pjesëtarët e komunitetit tonë në Austri të cilët kërkojnë nga ju t’i përfaqësoni?

Mirsad Musliu: Unë përfaqësoj pjesën dërmuese të komunitetit shqiptar në Austri. Po ashtu jam përfaqësues i Ambasadës së Republikës së Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Komuniteti shqiptar ballafaqohet me probleme të ndryshme, qofshin ato penale, civile apo administrative. Më së shumti drejtohen për rregullimin e lejeve të qëndrimit për bashkim familjar, për heqjen e ndalesave të hyrjes në Austri dhe zonën shengen, për divorcime, ndeshje trafiku, dënime në komunikacion por kemi raste sigurisht edhe për lëndë penale, si: vrasje, trafikim të lëndëve narkotike apo për vepra të tjera penale.

Albinfo.at: Puna e juaj është mjaft e kërkuar dhe bazohet në besim. Si e krijoni besimin tek klientët tuaj?

Mirsad Musliu: Fitimi i besimit është një proces të cilit i duhet kohë. Besimin e fiton te klienti nëse je i sinqertë dhe i suksesshëm. T’i tregosh klientit në mënyrë të sinqertë dhe të drejtë se cila lëndë mund të ketë sukses dhe cilën nuk ia vlen as ta procesosh. Pra, të jesh i sinqertë me klientin.

Albinfo.at: Meqë merreni çdo ditë me raste të ndryshme, si vlerësohet komuniteti ynë në Austri, a konsiderohemi si komunitet problematik?

Mirsad Musliu: Si komunitet shqiptarët që jetojnë dhe veprojnë në Austri, nuk janë problematik. Është numër i vogël prej tyre që kryejnë vepra penale të rënda. Në krahasim me komunitete tjera, komuniteti ynë njihet si komunitet punëtor dhe joproblematik, edhe pse është vështirë të bësh krahasime të tilla. Personalisht, me plot vullnet dhe mburrje u dal në mbrojtje.

Albinfo.at: Gjatë bisedës që zhvilluan bashkë para intervistës, më thatë se keni pasur dy raste ligjore ku keni mbrojtur shtetin e Kosovës. Njëri nga rastet tashmë është e mbyllur dhe keni dal fitues, ndërsa rasti tjetër është ende në proces. Për çfarë bëhet fjalë?

Mirsad Musliu: Republikën e Kosovës e kam mbrojtur si shtet në dy çështje në Vjenë. Rasti i parë ishte i një shqiptares e cila kishte nënshtetësi austriake. Ajo në Kosovë, kishte pasur fatkeqësisht një aksident gjatë kalimit të një hekurudhe. Për këtë rast, ajo kishte paditur shtetin e Kosovës. Paditësi ishte i mendimit që Republika e Kosovës nuk ka siguruar mjaftueshëm kalimin te hekurudha dhe për këtë rast ajo kërkonte nga shteti i Kosovës të paguaj dëmshpërblim prej një shifre milion eurosh dhe pension. Ky proces u zhvillua në Vjenë, ku unë e mbrojta shtetin e Kosovës dhe padia u refuzua.

Rasti i dytë është ende në shqyrtim. Kjo çështje ka të bëjë me shpërbërjen e ish bankës jugosllave “Adria Bank” në të cilën janë 19 milionë euro për t’u shpërndarë. Ish shtetet jugosllave janë të mendimit se ai kapital duhet tu ndahet ish Republikave jugosllave, por jo edhe Kosovës. Ne jemi të bindur se kjo është një padrejtësi ndaj shtetit të Kosovës, për shkak se tashmë Kosova është shtet i barabartë me shtetet tjera të ish-Jugosllavisë dhe një pjesë e asaj shume duhet dhënë edhe Republikës së Kosovës. Ne po presim se çfarë do të vendosë gjykata këtu në Vjenë dhe besojmë që edhe kësaj radhe do të dalim fitues.

Albinfo.at: Cili ka qenë rasti më i vështirë që keni pasur, në lidhje me komunitetin shqiptar apo të huaj dhe që ia keni dal me sukses?

Mirsad Musliu: Pa hyrë në detaje, rasti më i vështirë që e kam pasur ka qenë, kur një shqiptar në vetëmbrojtje kishte goditur dy persona, njërin shtatë herë me thikë në zemër, i cili kishte vdekur në vend të ngjarjes dhe tjetrin e kishte goditur në shpinë dhe i kishte prerë një pjesë të mushkërisë. E tërë vepra ishte incizuar nga kamerat e lokalit ku kishte ndodhur rasti. Prokuroria ishte e mendimit se personi në fjalë ka kryer veprën e vrasjes dhe tentimit të vrasjes. Unë, isha i bindur se personi ka vepruar në vetëmbrojtje dhe mbrojtje te personit të tretë. Pas një seance maratone prej 9 orësh, klienti im doli i pafajshëm në të gjitha pikat e akuzës dhe u lirua të njëjtën ditë nga paraburgimi. Ishte një rast kur edhe mediat austriake nuk e prisnin këtë vendim.

Albinfo.at: Ditë më parë u tha edhe nga zyrtarët austriakë që patente shoferi i Kosovës tashmë njihet nga shteti i Austrisë. A kanë të drejtë të gjithë shtetasit e Kosovës të cilët kanë patentë shoferi të Kosovës të vozisin në Austri, edhe nëse disa prej tyre janë banorë të këtij shteti?

Mirsad Musliu: Patentë shoferi i Kosovës njihet në Austri. Nëse personi nuk ka vendbanim ne Austri, mund të vozisë në Austri 12 muaj, prej hyrjes ne vend. Nëse personi vendoset me vendbanim në Austri, ka të drejt të vozisë në Austri 6 muaj pas vendosjes së vendbanimit. Përndryshe duhet të ndërrojë patentë shoferin duke hyrë paraprakisht vetëm në testin e vozitjes.

Albinfo.at: Gjatë tërë javës jeni i angazhuar me terminë të shumta, seanca të ndryshme, na thoni se çfarë bëni gjatë kohës së lirë?

Mirsad Musliu: Kohën e lirë mundohem t’ia kushtoj familjes, por edhe shoqërisë sime. Po ashtu, merrem edhe me sport që të liroj kokën nga stresi i javës. Sigurisht se, sa herë më jepet mundësia, e vizitoj vendlindjen në mënyrë që të mbaj të afërta lidhjet farefisnore.

Albinfo.at: Cila është familja jua?

Mirsad Musliu: Jam i martuar. Bashkëshortja ime vjen po ashtu nga Maqedonia e Veriut. Kemi dy djem në moshën 15 dhe 10 vjeç, të cilët vijojnë shkollimin. Po ashtu edhe prindërit e mi jetojnë në Vjenë dhe janë në pension.

Albinfo.at: I dashur avokat, faleminderit për kohën që e rezervuat për mua. Unë e di që koha juaj kushton. Po shpresoj se nuk detyrohem të paguaj diçka për këtë kohë prej dy orësh sa qëndruam së bashku (qesh), apo?

Mirsad Musliu: Faleminderit ju për respektin. Është kënaqësi dhe privilegj për mua të jem pjesë e revistës suaj shumë informative dhe profesionale. Çështjen e pagesës e shqyrtojmë duke pirë kafen e radhës (qesh).