KosovëLajmet e reja

Ministrja gjermane “shuplakë” Beogradit, thotë se Vuçiqi po e tensionon situatën në Kosovë

Ministrat e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Annalena Baerbock dhe ajo e Sllovenisë, Tanja Fajon dhanë garanci se do të shtyjnë përpara anëtarësimin e mëtejshëm të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.

Në këtë takim, kryediplomatja gjermane kritikoi shefin e shtetit serb se po nxit tensione në rajon, kurse homologia e saj sllovene foli për zgjerimin e BE-së me Ballkanin Perëndimor.

Ministrja gjermane kritikoi presidentin serb, Aleksandar Vuçiq se po nxit tensione në Kosovë, shkruan politico.eu.

Baerbock gjithashtu kritikoi Vuçiqin se njëkohësisht po ndjek linjën e përafrimit me Bashkimin Evropian, por edhe të relacioneve të mira me Rusinë.

“Kur flasim për zgjerimin, është thelbësore që nuk mund të ulesh në dy karrige në të njëjtën kohë”, tha ministrja e Jashtme gjermane, duke iu referuar politikave të presidentit serb.

Ndërkohë, Fajon deklaroi se është shumë e rëndësishme të mos harrohet Ballkani Perëndimor, njëkohësisht me procesin e anëtarësimit të Ukrainës, Moldavisë dhe Gjeorgjisë në Bashkimin Evropian.

“Agresioni në Ukrainë ka rritur ndjeshëm rreziqet e sigurisë në vendet e Ballkanit Perëndimor”, paralajmëroi ministrja sllovene.

Ajo u ankua edhe për largimin e një numri të madh të të rinjve nga vendet e Ballkanit Perëndimor, që po ndodhë si pasojë e mungesës së perspektivës.

“Ata nuk kanë më besim në këtë proces të zgjerimit”, shpjegoi ajo. “Deri në fund të dekadës, ne duhet të ndërmarrim hapa të mëtejshëm në drejtim të zgjerimit në Ballkanin Perëndimor”. /Telegrafi/