May 11, 2024
Maqedoni

Ministria e Bujarit, 117 mijë euro vetëm për reklamim!?

Ministria e Punëve të Jashtme e udhëhequr nga Bujar Osmani për një vit do të shpenzoj rreth 7 milion e 200 mijë denarë, ose rreth 117 mijë euro vetëm për tu reklamuar gjatë kryesimit me OSBE-në. Alsat ka siguruar kontratën e nënshkruar nga Ministria e Punëve të Jashtme, me njërën nga Agjencitë konsultative.

Për këto 117 mijë euro Agjencia do të bëjë një sërë shërbimesh për ministrinë e Jashtme dhe atë,

Për të angazhuar bashkëpunëtor të jashtëm të saj do duhet të marrë mbi 1. Milion e 147 mijë denarë,
Që Agjencia të mendojë logot me OSBE-në dhe formimin e identitetit vizual dhe shërbime tjera të ngjashme, Ministria e jashtme do të paguaj mbi 929 mijë denarë
Ndërsa vetëm për të menduar përgatitjen dhe realizimin e strategjisë komunikuese të Ministrisë dhe ministrit Bujar Osmani, Agjencia do të paguhet mbi 619 mijë denarë ose mbi 10 mijë euro.
Pjesë e kontratës janë edhe përkthimet në gjuhën shqipe, angleze të materialeve të ndryshme.

Alsat po ashtu ka siguruar edhe faturën e parë të realizuar ndaj Agjencisë e cila planifikon dhe realizon aktivitetet propagantuese të Ministrisë së Jashtme. Fatura figuron të jetë e datës 6 shkurt të këtij viti dhe është në vlerë prej mbi 1 milion 953 mijë denarë ose mbi 31.700 euro.

Alsat disa ditë radhazi ka kërkuar qëndrim nga Ministria e Punëve të Jashtme pse është e nevojshme që të shpenzohet kaq shumë para dhe pse të paguhet Agjenci private për reklamimin e saj, kur dihet se për pjesën më të madhe të shërbimeve ministritë por edhe Qeveria kanë numër të madh të të punësuarve për këto qëllime.

Nga Ministria e Punëve të Jashtme nuk iu përgjigjën pyetjeve dhe zgjodhën që të heshtin. /Alsat.mk