April 29, 2024
Maqedoni

Ministri Xhemail Çupi: Mbledhja e Qeverive ishte intensive, por edhe e dobishme për qytetarët e dyja shteteve

Ministri për diasporën në Maqedoninë e Veriut, Xhemail Çupi duke folur për televizionin e Shqipërisë, MCN TV, tha se mbledhja e djeshme në mes Qeverisë së Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë kishte një rëndësi të veçantë, që tregon edhe për frymën e bashkëpunimit mes dy vendeve. Ai tha se data e përzgjedhur për mbajtjen e mbledhjes së përbashkët përkon edhe me muajin e festës së Nëntorit, gjegjësisht me Kongresin e Manastirit dhe festën e flamurit.
“Janë bërë marrëveshje dhe memorandum bashkëpunimi në disa fusha, duke nisur prej asaj më të rëndësishmes integrimeve evropiane, ekonomi, infrastrukturë, diplomaci, kulturë, arsim dhe shkencë, administratë, shëndetësi dhe të tjera. Gjithsej 21 akte të nënshkruara. Dje ka qenë një proces shumë intensiv, por besojmë edhe i dobishëm edhe për qytetarët e dy shteteve”, ka thënë Çupi për MCN TV.
Ministri Xhemail Çupi duke folur për procesin e “Open Ballkan” si dhe “Samitin e Berlinit”, tha se bëhet fjalë për dy lëvizje paralele të cilat në fakt synimin e kanë të njëjtë.
“Qëndrimi zyrtar i Shkupit është se ‘Open Balkan’ e integron Ballkanin me qëllim që nesër në përballje me kriteret e BE-së të kemi një sinergji të kësaj fushe. Procesi I Berlinit është një proces I mëhershëm në të cilën janë të përfshirë edhe shtete të tjera të rajonit. Sipas Shkupit zyrtar këta të dyja interfrohen pozitivisht të njëra tjetra, për të eliminuar të gjitha barrierat dhe për afruar sa më shumës shtetet dhe kufijtë”, u shpreh Çupi.
Xhemail Çupi tha se Shqipëria dhe kryeministri Edi Rama kanë luajtur një rol pozitiv në zhbllokimin e vetos bullgare ndaj Maqedonisë së Veriut. Ai tha se Shqipëria nuk u shkëput nga pako së bashku me Maqedoninë e Veriut të nisë bisedimet.
“Nëse do të ishte shkëputur neve do të na vështirësohej akoma më shumë rruga. Qëndrimi i tij stoik që bashkërisht t’i tejkalojmë barrierat edhe në raport me fqinjët tanë me bullgarët bëri që ky presion të mos hase në vesh të shurdhër në BE dhe mendojë se pas këtij procesi që ndodhi dhe atij presioni që u bë në KE, erdhi që ata ta marrin më seriozisht veton bullgare. Tani besoj jemi në një pozitë më të lehtë për shkak se tani më kemi vetëm një kusht për të plotësuar dhe ai kusht është që bullgarët të futen në kushtetutën”, tha Çupi.

Video në këtë link: http://www.mcntv.al/2022/11/15/mbledhja-shqip-ri-mv-upi-procesi-i-integrimeve-evropiane-faktor-ky-i-takimit-q-nes-r-t