Maqedoni

Ministri Nuredini: Maqedonia e Veriut dhe Britania kanë bashkëpunim të shkëlqyer në ekologji

Ministri i ekologjisë Naser Nuredini sot zhvilloi takimin e parë protokollar me ambasadorin e sapoemëruar të Mbretërisë së Bashkuar, Matthew Lawson.
“Në takim i urova mirëseardhje dhe suksese në mandatin e tij diplomatik dhe iu referova bashkëpunimit të mirë të dy vendeve në mbrojtjen e mjedisit jetësor, veçanërisht në trajtimin e ndryshimeve klimatike dhe arritjen e qëllimeve ambicioze klimatike.
Në një bisedë të këndshme, shkëmbyem informacione për aktivitetet e realizuara në përputhje me konkluzionet e Konferencës së vitit të kaluar të Palëve të UNFCCC-së, COP26, që u mbajt në Glasgow nën kujdesin e Mbretërisë së Bashkuar.
Natyrisht, kemi shkëmbyer mendime edhe për sfidat me të cilat përballen vendet tona përpara COP27 të ri, i cili do të mbahet në Egjipt në nëntor, veçanërisht për shkak të krizës globale energjetike”, njoftoi Nuredini.

Me këtë rast ai ka paraqitur përcaktimet e forta strategjike të Ministrisë, por edhe të shtetit dhe në kushtet e krizës energjetike, për të ecur drejt realizimit të qëllimeve kombëtare klimatike, transformimit të ekonomisë drejt ekonomisë së gjelbër dhe drejt tranzicionit drejt burimeve të rinovueshme të energjisë.