Ministri i Shëndetësisë: Për 10 muaj rreth tre mijë mamografi falas
Që nga fillimi i vitit janë kryer më shumë se tre mijë ekzaminime në kuadër të programit skrining për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit, tha sot ministri i Shëndetësisë Fatmir Mexhiti. Ai sqaroi se ministria e shëndetësisë po zbaton një program nacional skriningu për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit.
FATMIR MEXHITI, MINISTËR I SHËNDETËSISË
“Duke qenë se zbulimi i hershëm është kyç në kancerin e gjirit, Ministria e Shëndetësisë, në drejtim të parandalimit, po zbaton një program nacional për skrining, për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit. Këtë vit ai ka përfshirë gratë e moshës 45 deri në 69 vjeç që nuk kanë bërë mamografi në dy vitet e fundit si dhe gratë e moshës 40 deri në 44 vjeç që kanë një anëtar të familjes me kancer gjiri ose një faktor tjetër rreziku”.
Mamografia , rikujtoi Mexhiti, është falas për femrat në program, përkatësisht pjesëmarrja mbulohet nga Ministria e Shëndetësisë.
FATMIR MEXHITI, MINISTËR I SHËNDETËSISË
“Që nga fillimi i vitit në kuadër të këtij skriningu janë kryer më shumë se tre mijë ekzaminime. Risi të rëndësishme kemi zbatuar edhe në protokollin e ekzaminimit të gjirit. Gratë me ndryshime referohen në një zyrë të posaçme të gjirit, ku radiologu jep rekomandimet e nevojshme shtesë për biopsi dhe ekzaminime të tjera”.
Me këtë sipas Mexhitit lehtësohet dukshëm qasja e gruas në shërbimin e nevojshëm shëndetësor. Ai apeloi për rëndësinë e ekzaminimeve parandaluese dhe kujdesit për shëndetin, duke pasur parasysh se zbulimi i hershëm mund të shpëtojë jetë.