May 13, 2024
Shqipëri

Ministri i Drejtësisë reagon për tritolin në derën e gjyqtarit në Shkodër

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja kërkon zbardhjen e ngjarjes nga prokuroria të tritolit të vënë në oborrin e banesës së gjyqtarit të Shkodrës, Tonin Sterkaj.

Manja e cilëson një akt të shëmtuar prej burracakësh që kërkon të intimidojë drejtësinë, por sipas tij nuk do t’ia arrijë dot, ndërsa thekson se është në krah të gjyqtarit dhe familjes së tij.

“Me Tonin Sterkajn më ka njohur puna si drejtues i Prokurorisë Shkodër, gjatë viteve 2002-2007 dhe miqësinë tonë të atyre kohëve të vështira e kemi pasurinë tonë më të madhe. Si mik dhe si koleg, sot, i kam shprehur Toninit dhe familjes së tij gjithë mbështetjen time!

Si Ministër i Drejtësisë, kërkoj nga organet kompetente të zbardhin sa më parë këtë akt të shëmtuar prej burracakësh që kërkon të intimidojë drejtësinë, por që nuk do ia arrijnë dot, aq më tepër me Tonin Sterkajn, gjyqtarin më të vjetër e më me përvojë që ka sistemi i drejtësisë sot në juridiksionin e shkallës së parë!

Sot jam në krah të Toninit dhe familjes së tij dhe jam i bindur se drejtësia do triumfojë dhe në këtë rast!”, shkruan ministri.