May 4, 2024
Maqedoni

Ministri Çupi u ka shkruar 500 organizatave të diasporës: Jemi në shërbimin tuaj!

Kabineti i Ministrit pa resor – përgjegjës për diasporë, Xhemail Çupi, e ka bërë hapin e parë duke tentuar të kontaktojë me afro pesëqind shoqata, organizata, unione dhe bashkësi që veprojnë në diasporë. Ministri përmes letrës zyrtare i ka informuar se është i hapur për bashkëpunim me secilin prej tyre dhe i ka siguruar se gatishmëria për bashkëpunim me to është e pa kompromis.

“Përgjegjësia për diasporën, vendosja e bashkëpunimit dhe sidomos kthimi i mirëbesimit është një proces sfidues dhe afatgjatë që duhet të nis prej në lidhjen e kontakteve për bashkëveprim, prandaj të gjitha shoqatat, organizatat, unionet dhe bashkësitë kulturore, etnike, fetare, rinore e artistike me prejardhje nga Republika e Maqedonisë së Veriut që operojnë në shtetet e huaja i konsiderojmë urë lidhëse mes Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe diasporës”, thotë ministri Çupi.

Por në mungesë të një data baze definitive, duke qenë të sigurtë se numri i shoqatave, organizatave, unioneve dhe bashkësive që operojnë në diasporë është më i madh se kaq, nëpërmjet këtij shkrimi kabineti i ministrit Çupi u dërgon ftesë publike të gjitha shoqatave, organizatave, unioneve dhe bashkësive të diasporës që eventualisht nuk kanë marrë shkresë, por edhe çdo mërgimtari pa përjashtim, se qëndrojnë në shërbim të tyre.