Ministri Çupi nënshkroi marrëveshjen e parë për hapjen e Zyrës Komunale për Diasporën
Ministri i Diasporës Xhemail Çupi ka nënshkruar sot kontratën e parë për bashkëpunim në fushën e diasporës me kryetarin e Komunës së Krushevës, Tome Hristoski.
Me këtë rast Çupi u është drejtuar të pranishmëve në Komunën e Krushevës, duke falënderuar në radhë të parë kryetarin e komunës për gatishmërinë e tij për thellimin e bashkëpunimit. Poashtu ka prezantuar edhe një pasqyrë të shkurtër të projekteve në të cilat kabineti ministror është duke punuar në vazhdimësi për të mirën e diasporës.
“Sipas kontratës së nënshkruar bashkëpunimi do të realizohet nëpërmjet hapjes së zyrave komunale të cilat do të kenë rol ndërmjetësues me qëllim që qytetarëve nga diaspora t’ju mundësohet qasje më e lehtë në informatat e nevojshme dhe t’ju jepen udhëzime shtesë bazuar në të drejtat dhe obligimet e tyre në procedurat përkatëse para organeve kompentente gjatë qëndrimit të tyre në vendin amë.
Gjithashtu sot dhe në ditët në vijim do të vazhdoj me nënshkrimin e kontratave për bashkëpunim në fushën e diasporës për hapjen e zyrave komunale edhe me komunat tjera që kanë pranuar një bashkëpunim të tillë.
Theksoj që në këtë takim isha i shoqëruar nga Drejtori i Inspektoriatit shtetëror për vetqeverisje lokale Afrim Qoku”, njoftoi ministri diasporës, Xhemail Çupi.